25 Gusht, 2023 - 11:51 pm
Kalaja e Lëkurësit në Sarandë i ka kaluar për administrim Ministrisë së Kulturës, sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave.
Kalaja ka një sipërfaqe prej 8211 m2, por dhe 7 ndërtesat që ndodhen në këtë kala do i kalojnë nën administrim Ministrisë së Kulturës. Vendimi i qeverisë është marrë me propozim të Ministrisë së Kulturës. Ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është botuar në “Fletoren zyrtare”.
Prej vitit 2000 Kalaja e Lëkurësit ishte shndërruar në bar dhe restorant. Kjo kala është ndërtuar rreth viteve 1537, në kohën kur Sulltan Sulejmani sulmoi Korfuzin dhe i lindi si domosdoshmëri kontrolli i Skelës së Sarandës dhe rrugës që lidh me Butrintin.
Rajoni tradicionalisht i përkiste pjesës jugore të rajonit të Himarës. Në fund të shekullit të 18-të, kalaja u sulmua nga Ali Pashë Tepelena.
Kalaja dikur mbante në këmbë fshatin e vjetër Lëkurës. Ka një formë katrore me dy kulla të rrumbullakëta në qoshet veri-perëndimore dhe jug-lindore.
Sot objektet turistike janë ndërtuar pranë kalasë në stil të ngjashëm arkitektonik.
Kalaja ka një pozicion të veçantë strategjik nga ku mund të shihet gjithë qyteti i Sarandës dhe rruga që shkon në Butrint, Korfuzi dhe një panoramë e ishujve të Ksamilit.
Kalaja e Lëkurësit është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës më 30 maj 1970./TopChannel/KultPlus.com