Kalaja e Lëkurësit, monument me vlera historike dhe kulturore

16 Janar, 2019 - 12:00 pm

Kalaja e Lëkurësit, e ndodhur midis rrënojave të fshatit Lëkurës të braktisur në vitin 1878, në një pozicion dominues mbi gjirin e Sarandës dhe qafën e Gjashtës, përballë Manastirit të Dyzet Shenjtorëve është një atraksion i veçantë i turizmit në qytetin bregdetar.

Mendohet që ndërtimi i saj është bërë nga Sulltan Sulejmani në vitin 1537, kur sulmoi Korfuzin dhe ishte i domosdoshëm kontrolli i skelës së Sarandës dhe rrugës Sarandë-Butrint.

Sipas kolonelit anglez W. M. Leake, në fillimin e shek. XIX kalaja kontrollonte skelën detare të Sarandës. Planimetria e fortesës është katrore me përmasa 42 x 44 m, me dy kulla të rrumbullakëta në veriperëndim dhe juglindje si dhe një kullë drejtkëndëshe në murin perëndimor.

Lartësia e mureve arrin deri në 6.5 m, ndërsa trashësia varion nga 1.7 deri 1.9 m. Hyrja me hark që shërben për hyrjen në kala ndodhet nga lindja. Parapeti i mureve është rreth 1.7 m i lartë dhe është i pajisur me frëngji.

Restaurimet e kryera në muret e saj, në anën e majtë të hyrjes zbuluan ambientet e një kishe të vogël post bizantine me piktura murale të shek. XVII-XVIII.

Përreth fortifikimit ndodhen rrënojat e fshatit Lëkurës të përmendur që në regjistrimet e para osmane, por arkeologu italian L. M. Ugolini që i vizitoi ato në fillimet e shek. XX, i daton strukturat në periudhën bizantine. Në defterin e sanxhakut të Delvinës në vitin 1583, fshati regjistrohet me 80 shtëpi, të cilat nxirrnin rreth 20 luftëtarë.

W. M. Leake thotë se fshati ishte ndërtuar nga Ali Pasha, por padyshim kjo është një periudhë ripopullimi e cila përputhet me restaurimin e kalasë nga Veziri i Janinës.
Nga fshati ruhen ende mbi sipërfaqe rrënojat e banesave, oborret e tyre, bodrumet, rrënoja kullash e ndërtesa me karakter religjioz.

Aktualisht e gjithë sipërfaqja e rrënojave të fshatit Lëkurës përfshihet në zonën e mbrojtur të kalasë. Për të shkuar drejt kalasë së Lëkurësit duhet ndjekur rruga nga qafa e Gjashtës drejt kreshtës së kodrës së Lëkurësit.

Kalaja e Lëkurësit është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës më 30 maj 1970. /k.s/ KultPlus.com

Të ngjajshme