10 Gusht, 2024 - 9:00 am
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore fton të gjithë të apasionuarit pas historisë, natyrës e artit që të vizitojnë një prej xhevahireve të trashëgimisë sonë kulturore, kalanë e Porto Palermos.
Kalaja e Porto Palermos është Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Ndodhet në gjirin me të njëjtin emër në bregun e detit Jon, në një gadishull midis Himarës dhe Qeparoit.
E ndërtuar në fillim të shekullit të 19-të nga Ali Pasha, kjo kala strategjike mbrojti bregdetin dhe rrugët detare të Shqipërisë. Sot, ajo ofron pamje mahnitëse të detit Jon dhe peisazheve të bukura rreth saj.
“Ejani të vizitoni Kalanë e Porto Palermos dhe zbuloni trashëgiminë e pasur dhe bukurinë e pashoqe të Shqipërisë”, shkruan IKTK në rrjetet sociale.
Në kalanë e Porto Palermos së fundmi organizohen një sërë eventesh kulturore. Aktualisht është duke u zhvilluar Porto Palermo Festival, i cili i bën bashkë lashtësinë me tingujt e rrymave të ndryshme muzikore./ KultPlus.com