14 Janar, 2023 - 10:45 am
Kalaja e Rozafës është një sit i aksesueshëm si ditën ashtu edhe mbrëmjeve. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër po punon çdo ditë për përmirësimin e infrastrukturës në sitin arkeologjik të Kalasë së Rozafës, duke u fokusuar në mirëmbajtjen dhe sistemimin e rrjetit elektrik.
Ekspertët e DRTK Shkodër po evidentojnë problematikat dhe riparimin e defekteve për të garantuar ndriçimin e plotë të këtij atraksioni turistik, të vizitueshëm dhe rijetësuar edhe në mbrëmje.
DRTK Shkodër ka raportuar rritje të numrit të turistëve në Kalanë e Rozafës, duke krahasuar shifrat e dy viteve që lamë pas. Është vënë re një turizëm kulturor përgjatë gjithë vitit, duke reflektuar rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj në vitin 2022.
Kalaja e Rozafës është një prej kalave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës./atsh/ KultPlus.com