22 Tetor, 2018 - 3:00 pm
Kepi i Rodonit është një nga destinacionet më të vizituara, ku përveç resurseve natyrore, pjesë e guidës janë dhe dy nga objektet më kryesore të zonës së Ishmit, Kalaja e Skënderbeut dhe Kisha e Shën Ndout.
Këto dy destinacione fshehin brenda tyre përveç bukurive natyrore kultin dhe historinë.
Kisha e Shën Ndout është një ndër kishat më të dëgjuara të zonës të periudhës së Mesjetës shqiptare. Kjo edhe për shkak të ndërtimeve që bëri Skënderbeu në atë zonë të Kepit në shekullin e XV, indirekt ajo quhet edhe kisha e e Skënderbeut. Monumenti sot paraqet vlera si një ndërtesë që i takon arkitekturës romaniko-gotike e shek. XIII.
Pas rindërtimit të saj vitet e fundit mund të shihen ende qartë një kalorës mbi kalë dhe një shqiponjë dykrenare, me krahë të ulur poshtë. Në pjesë të tjera të mureve ka gjurmë të tjera afresku. Për shkak të vlerave të saj monumentale, të lidhjes së ekzistencës së saj me njërën nga periudhat më të shquara të historisë së Shqipërisë si dhe për shkak të pozicionit gjeografik dhe peisazhit mahnitës, Kisha e Shën Ndout është njëra nga pikat më të vizitueshme për turistët dhe vizitoret vendas.
Ajo kishë dhe zonat përreth konsiderohen vend i shenjtë dhe çdo datë 13 qershor të çdo viti bëhen vend pelegrinazhi dhe feste ku vijnë, veç banorëve të zonave përreth, edhe turistë e vizitorë të tjerë.
Kalaja e Skënderbeut
Kalaja e Skënderbeut ndodhet në pjesën verilindore të Kepit të Rodonit, ose siç e quajnë vendësit, Kepi i Muzhit, dhe vështron veç thellësisë së detit Adriatik edhe gjirin e Patokut dhe të Shëngjinit.
Kjo kështjellë filloi të ngrihej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450. Përfundimi i saj mendohet të jetë bërë rreth vitit 1452. Muri i kështjellës së Rodonit është ndërtuar nga mjeshtra venecianë. Ai arrinte në një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e kështjellës kishte kulla të rrumbullakëta. Si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik.
Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. Pranë kalasë ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit, shkruan ata./ KultPlus.com