23 Maj, 2021 - 1:28 pm
Kanioni i Holtës në Bashkinë Gramsh mbetet një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe kryesisht të huaj.
Holta është një zonë turistike që vizitohen në të gjitha stinët e vitit, por kryesisht në pranverë, verë dhe vjeshtë.
Kanioni i Holtës shtrihet përgjatë 3 kilometrave, me shpatet e luginës që arrijnë deri në 100-150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 2-3 m. Kanioni ka shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike, si dhe gropa me ujëra termale.
Ngjyrat e shumta e bëjnë këtë bukuri natyrore një destinacion të paharrueshëm ofron pamje magjepse me lartësi malesh, thellësi kanionesh, bimësi dhe lule të shumëllojshme por mbi të gjitha ujërat e freskëta që burojnë nga malet.
Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive. Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.
Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë disi e vështirë për makinat e ulëta dhe ka një gjatësi rreth 18 km./atsh/ KultPlus.com