20 Dhjetor, 2017 - 6:37 pm
– Çarshia e Mbulueme ose e mbyllur, e njohur si Kapali Çarshi, ka qenë pjesa më atraktive e qytetit, diçka fantastike! – kujton z.Islam Mumxhiu.
– Unë, madje, mund ta vizatoj si është dukur ajo çarshi, si ka qenë, aq kthjellët më kujtohet! Kanë qenë dyqanet me qepena, kalldrëmi turk, ndenjëset para duajve, zanatlinjtë… Ai kompleks dyqanesh, nja 400 sosh, ka qenë me arkitekturë tipike orientale. Qëllimi i prishjes, i rrënimit të Çarshisë më 1946 e këtij ka qenë humbja e gjurmëve të Prishtinës, ndërsa qendra e qytetit ka qenë pikërisht aty, me të gjitha begatitë. Ka pasur shumë rrugica, bile një objekt, pjesë e Çarshisë, ndodhet në hyrje të ish-shtëpisë së Eminxhikëve (Muzeu Etnologjik sot). Asgjë tjetër nuk ka mbetur nga ato gjurmë.
Aty, pra kanë qenë zanatlinjtë, zejtarët e shumtë prishtinas. Në Çarshi ka pasur edhe shumë dyqane të jahudinjve, aty ka qenë dhe SINAGOGA e madhe, faltore e besimtarëve hebraikë. Edhe atë e kanë rrënuar pa mëshirë. Në Prishtinë ka pasur shumë familje hebraike. Te Kinema “Rinia” ku është edhe sot, e ndërtuar pas luftë, ka pasur shumë dyqane të tyre. Me jahudinjtë kemi kaluar shumë mirë. Bile, varrezat e tyre ndodheshin në kodrën mbi Tauk Bahçe, u kujtohet mirë vendësve, porse viteve të fundit në atë pjesë janë ndërtuar shumë shtëpi. Mirëpo, kur hyri gjermani, një pjesë e tyre ikën, një pjesë shkuan në Shqipëri, ndërsa të tjerët i morën!
Kapali Çarshia ndodhej në hapësirën ku është Enti Social sot, ku është ndërtesa e Qeverisë, deri këtej Kuvendit të Komunës. Një pjesë e kësaj çarshie ka qenë e mbulueme, e muruese me tulla, ndërsa të tjerat pjesë kanë qenë të hapura. Shumë thellë në Kapali Çarshi, në qendër të saj, ka qenë një shatërvan, rreth e rreth me dyqane, sokak pas sokaku. Aty ka qenë edhe dyqani i Osman Navakazit, prishtinas. Kënaqësi e madhe ka qenë përpara, ka qenë pastërti e madhe, kalldrëm të larë, mure të pastra, lyer me gëlqere…eh, atëherë ka qenë e detyrueshme ta mbanim pastërtinë!
Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime