Karakteristikat e jelekëve tradicionalë, të vajzave e grave beratase

12 Dhjetor, 2022 - 1:27 pm


Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ka publikuar një album fotografik të jelekëve të vajzave e grave, një veshje tradicionale beratase.

Jelekët kanë qenë pjesë e pandarë e kostumeve festive për të gjitha grupmoshat e vajzave e nuseve të reja e veçanërisht në shek XIX e fillim shek XX.

Jelekët që përgatiteshin në Berat dalloheshin për elegancën në prerje me gravatura të gjera, supe shumë të ngushta, pa jakë e tepër të shkurtër që të shfaqeshin më shumë hiret femërore.

Ilakcinjte e Beratit në përgatitjen e jelekëve kanë përdorur kadifen e mëndafshtë në ngjyrë lejla, të kuqe, blu e zhizhingë, por nuk mungonte as atllasi e coha e zezë.

Fijet që qëndiseshin jelekët ishin nga më të larmishmet, fill ari, argjendi e për të krijuar diferencën mes materialeve përdorej rrallëherë dhe fill bakri.

Dekoracioni ishte i përqendruar kryesisht te anët e jelekut gjithmonë me gajtanë ari e fill mëndafshi apo pambuku, te pjesa qendrore e shpinës dhe në të dyja qoshet e pjesës së përparme me fill, me bukme e tërtil ari, por ka pasur edhe jelekë të qëndisur në gjithë relievin.

Jelekët visheshin me çitjane, me fustane e linja mëndafshi, me funde kadife, ndërsa sipër vishej sako. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme