11 Mars, 2018 - 7:30 pm
Sot në Bozovcë të Tetovës, është mbajtur 10-vjetori i Karnavaleve Ilire. Me këngë, valle, veshje e ushqim tradicional shqiptar, Bozovca sot është vërshuar nga shumë njerëz që e duan kulturën shqiptare dhe përveç që e duan edhe vazhdojnë ta ruajnë atë me fanatizëm, shkruan KultPlus.
Të pranishëm në këtë ngjarje kulturore, ishin edhe studentët e disa universiteteve shqiptare, ku edhe ata kishin veshje tradicionale dhe u bënë pjesë e ecjes deri tek vendi kryesor aty ku do të kishte performanca të ndryshme.
Mezzo sopranoja, Besiana Mehmeti ishte ajo që këndoi disa këngë, Erodita Qorkadiu Haxhiu shpalosi ekspozitën e saj me veshje tradicionale ndërsa të pranishëm ishin edhe ansamble të ndryshme që madhështuan edhe më shumë këto karnavale.
Sofra me fli, pite e gjëra të tjera nuk kishte se si të mungonte në këtë ngjarje. Ndërkaq vallja e Opojes ishte ajo që emocionoi edhe më shumë të pranishmit./ KultPlus.com