7 Qershor, 2021 - 3:10 pm
Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Krujës ruhet këmbana origjinale e vitit 1462, e cila mund të ketë lajmëruar qytetin e Krujës për vdekjen e Skënderbeut më 17 Janar 1468.
Sipas Muzeut Historik dhe Etnografik të Krujës në vitin 1901 A. Degrand, konsulli francez i Shkodrës botoi një udhë përshkrim, ku tregonte dhe për dy këmbana, që ishin të lëna në mëshirën e fatit në rrënojat e kishës brenda mureve rrethuese të kështjellës së Krujës.
Njëra nga këto ishte bashkëkohëse me epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit, e derdhur në bronz në vitin 1462 (MCCCCLXII), me përzierje metalesh të çmuara.
Menjëherë u vunë në lëvizje tregtarët e relikeve e antikuareve, por fatmirësisht këtë relike të çmuar që iu trashëgua shqiptarëve si shenjë e epokës së lavdishme të tyre e bleu i mirë informuari Shtjefën Gjeçovi, i cili më pas e skicoi, vizatim që sot ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror Tiranë, ku ruhet edhe fondi i tij arkivor. Kjo këmbanë është ndër objektet më të rëndësishme të muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. / Zhurnal.mk / KultPlus.com