24 Dhjetor, 2020 - 5:59 pm
Ninulla vjen e shkëputur nga përmbledhjet “siculo-arbëreshe”, nga Lionardo Vigo (1805-1888)
Ai ishte një poet, filolog e politikan italian që në vitin 1857 botoi “La Raccolta di canti popolari siciliani”, ku përfshiu dhe këngë popullore të arbëreshëve të Siçilisë.
Vigo ishte një dishepull i romantizmit dhe besonte se, këngët popullore dhe motivet folklorike gjithmonë ndjellin dhe shpirtin poetik të së shkuarës, për të krijuar atë që Herderi e quan dhe Volksgeist -“shpirt i kombit”, që u fal njerëzve impulsin krijues përsa i përket përforcimit të nacionalizmit të tyre kulturor.
Ç’mrekulli është vallë kjo?
‘Ç’mrekulli kjo, që na gëzoi
Erdh pranvera, dimri shkoi.
Ljeu Krishti në një skutë,
Ljeu i varfër e i butë.
Ljeu aty, e s’ljeu në Horë,
Në një shpellë e nën dëborë,
Ljeu, e qielli u bë dritë
Nata u shndërrua në ditë.
Jeta u mbush plot me gëzim,
pemët, me fletëza në bulim.
Na pru Zoti në këtë dhe
Gaz të madh, paqe e hare!
Ninulla në arbërishte:
Çë thavmasmë isht kjo?
Çë edhe nata ditë u bë.
të ghzon zemërën
dimri shkoi e s’ ishtë më
gjithë jeta bën hare
ljulje e peme për në dhe
Ljeu jashtë e jo në Horë
në një shpellë, në një gërromim
ljeu në tsin, ljeu në sborë
ljidhur klje te një skutin
mbet në kashtë e në sanùa
si i vapkëth për mua
E si ljeu n’ ata malje
n’ ata malje ashtu tutsè me ghzim
Parraisi u psaljë gazin
m’ i madh njeriut i qièlli
paqe, gaz, haré
yn’ Zot pru në ktë dhe
Këshndellë apo Kërshëndellë
Sipas Profesor Eqrem Çabejt* fjalën Kërshëndellë, Mikloshiçi e Majeri e nxirrnin nga latinishtja: “Christi Natalia”, ndërsa Atë Gjergj Fishta na e shpjegon këtë fjalë me mjetet e shqipes: Krisht – këndellë “Këndellja e Krishtit”- e Atë Bernardin Palaj e quan Sh’ Kndella, që do të thotë këndellje apo përtëritje e çdo gjëje. Gjithsesi ndikimi i emrit Krisht me etimologji popullore nuk mund të mohohet. Për herë të parë fjala përdoret në veprën e Buzukut “mbas Kreshendellsh”; Budi e përdor në trajtën “Natecë Kërshëndellesë”.
Pra, fjala “Kërshëndellë” do të thotë “të lemit e Krishtit”
Në Jug të Shqipërisë, sipas Hahnit, Kërshëndellat janë gjashtë javët e kreshmëve që para Kërshëndellave e deri te Teofania. Fjala Krishtlindje, që përdoret sot rëndom për kremtimin e lindjes së Krishtit, pas gjase është një përkthim, një kalk i ri i fjalës greke.
Tradita e lashtë shqiptare e festës
Kërshëndellat zëvendësuan festën e moçme të Natës së Buzmit, trashëguar që prej kohëve të lashta. Buzmi, simbol i jetës së re, i kthimit të motit kah pranvera, u bë simbol i Hyjnisë që lind, i Krishtit. Krishti vjen për t’i dhënë fund së vjetrës e të gjithë të këqijave të saj. Krishti rrafshon të vjetrën. E nisë jeta me urimin e së resë: me gjeth e me bar, me kingja e me tambël të bardhë, me shpresë për një të ardhme më të mirë. Poeti dom Prenkë Ndrevashaj i këndon kështu në poemthin “Buzmi”**:
Ushton flaka lakmueshëm e i përqafet
Njanit unak herë tjetrit,
Si Foshnja Ejllore;
Rroket me zemra të përgjumshme
e u uron kënaqe e bekim!”
Kështu, festa pagane e buzmit u kristianizua dhe në Shqipëri; që shumë kohë para pushtimit otoman, u kremtua festa e madhe: lindja e Jezu Krishtit që, siç shkruan dom Ndrevashaj, nuk harron me u ndalë çdo vjetë mes rranxave të vetmueme:
“O Natë e bardhë, me shekuj tu bame flí
te këto rranxa të vetmueme, në luftë me jetë,
E me duhma t’ortekut ktu për bri!
Veç ti s’harron me u ndalë te na çdo vjetë!”** ./konica/ KultPlus.com