1 Maj, 2019 - 1:00 pm
Shumë pranë Tiranës ndodhet Kepi i Rodonit, vendi ku çdo vizitorë gjen të ndërthurur më së miri historinë me natyrën dhe detin. Në pjesën verilindore të Kepit ndodhet një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, Kalaja e Skënderbeut, e cila nisi të ndërtohej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1451, e më tej mendohet të jetë përfunduar rreth vitit 1452.
Ajo çka ruhet nga ky monument kulture i kategorisë së I është kryekulla dhe disa mure mbrojtëse. Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë bërë të mundur edhe hartimin e projektit të restaurimit të monumentit.
Kepi i Rodonit ka formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalzit, formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.
Një perlë e natyrës, ku bluja dhe jeshilja shkrihen në një në thellësinë e Adriatikut, një bukuri ende e virgjër, që së fundmi po eksplorohet nga turistët. Vizitorët në këtë vend mund të shijojnë ujin e kristaltë në qetësinë që panorama ofron, larg zhurmave të plazheve masive.
Në pjesën verilindore të Kepit shtrihet Kalaja e Rodonit, që daton që në shekullin XIV, një fortifikim i cili përbëhej nga një mur mbrojtës me gjatësi 100 m, e që shtrihej nga një breg i kepit në bregun tjetër. /a.a/ KultPlus.com