Kepi i Skënderbeut, porta hyrëse e bukurive magjike për udhëtarët e natyrës

30 Shtator, 2021 - 6:29 pm

Aty ku nis legjenda e Skënderbeut, aty ku nis fluturimi me kal nga njëra anë e malit në tjetrin, aty ku gjenden gjurmët e kalit të stampuara nga shekujt në gurë, gjendet Kepi i Skënderbeut.

Kepi i Skënderbeut gjendet në kufirin fundor të fshatit Vig të bashkisë Mat, aty ku hapet porta e Mbasdejes, malit më të lartë në malet e mesme, Deja, ku pjesë e pasme e ka një parajsë natyrore me vargmale dhe një pllajë që çanë mes malesh deri në Fushë-Pela, aty ku thyhet me malin e Runjës dhe nis pasqyra liqenore e Lurës.

Monumenti Natyror Kepi i Skënderbeut, pasqyrohet nga AKZM Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.

Monumenti Natyror Kepi i Skënderbeut gjendet në Mbasdejë, në afërsi të fshatit Vig të rrethit të Mat. Ky është një Gjeomonument i cili ndodhet 1170 m mbi nivelin e detit.

Njihet edhe me emrin Kalaja e Skënderbeut. Përbën një gur gëlqeror, me formë të veçantë afërsisht  në formën e një kërpudhe dhe kjo si pasojë e veprimit të agjentëve të jashtëm atmosferikë dhe atyre tektonikë. Është i gjatë 120 m, 25 m i gjerë dhe 140 m i lartë, ndërsa sipërfaqia 2 ha.

Legjenda e lidh me Skënderbeun, që e ka përdorur atë si pikë vrojtimi. Ky gjeomonument Natyror edhe sot mbart vlerat shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, historike), didaktike, ekologjike dhe kulturore për të cilat ai ka marrë edhe statusin Monument Natyre. Vizitohet sipas rrugës rurale Burrel– Mbasdejë.

Kjo zonë është një nga vendet më të bukura të turizmit malor, biodiversitet i ndryshëm larmia e florës dhe e faunës, pamjet marramendëse të jashtëzakonshme që ndryshojnë si me magji e bëjnë këtë zonë jo vetëm një parajsë turistik por një vend ku legjenda historia bëhen bashkë si një dekor që shoqëron udhëtarët pasionant të natyrës. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme