11 Shtator, 2023 - 2:47 pm
Gjatë muajit gusht u realizua projekti “Kërkime arkeologjike në zonën Vagalat/Dobra, fusha e Livadhjasë dhe Lugina e mesme e Pavllës” nga Instituti i Arkeologjisë në bashkepunim me Universitetin e Oksfordit.
Akademia e Studimeve Albanologjike bën me dije se këtë sezon gërmimet arkeologjike u përqendruan në dy sektorë. Vijimi i kërkimeve në zonën e poshtme të kodrës, pranë murit të taracimit, çka nxori në dritë një strukturë që me shumë gjasa duhet të lidhet me kompleksin e tempullit antik.
Sektori i dytë, në zonën e epërme, e cila është eksploruar gjatë viteve ’80 të shekullit të shkuar nga prof. Dhimitër Çondi. Kjo zonë karakterizohet nga struktura që i përkasin fazës së fundit të përdorimit të kodrës, e cila datohet në periudhën mesjetare. Paralelisht u punua për rilevimin dhe dokumentimin fotografik ajror të sitit dhe zonës përreth.
Krahas specialistëve nga të dy institucionet, në kërkime morën pjesë studentë nga Universiteti i Oksfordit dhe nga Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore, Universiteti i Tiranës./ atsh / KultPlus.com