27 Gusht, 2019 - 9:30 am
Përveç ndërtesës së ish-Gërmisë, e cila ngjalli polemika të shumta nëse do të duhej të mbrohej ose jo, një tjetër objekt ka kthyer sërish vëmendjen e shoqërisë duke ngjallur debat.
Fjala është për ndërtesën e RTP-së, e cila po kërkohet të mbrohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit.
Në lidhje me këtë objekt ka reguar aktivisti dhe projektuesi Yll Rugova, i cili përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se kjo ndërtesë e RTP-së është ndërtuar në kohën kur shqiptarët kanë vënë themelet e institucioneve shtetërore të Kosovës, duke ndërtuar ndërtesat e rëndësishme publike si Biblioteka Kombëtare, Instituti i Albanologjisë, Universiteti i Prishtinës dhe si e tillë duhet të mbrohet.
Më poshtë mund ta gjeni statusin e plotë të Yll Rugovës.
“Kjo është ndërtesa e RTP-së, ku përveç tjerash ka performuar orkestra simfonike dhe kori i saj. Kjo ndërtesë duhet të mbrohet!
“Sot pranova pamjet ku tregohet se një pjesë e fasadës së poshtme të kësaj ndërtese, është duke u shkatërruar dhe tjetërsuar. Ky veprim duhet të ndalet nga inspeksionet shtetërore, kurse vetë ndërtesa gjithsesi duhet të inicohet për mbrojtje si trashëgimi kulturore. Në fakt, edhe pa qenë në mbrojtje, ndryshimi i pamjes së ndërtesave ligjërisht i nënshkrohet lejeve përkatëse.
Orkestra simfonike e RTP-së së bashku me korin, janë institucionet pararendëse të Filharmonisë së Kosovës, që së bashku me shkollën e muzikës në Prizren e Prishtinë kanë vënë themelet e muzikës klasike në Kosovë. Janë këto institucione që e krijojnë historinë më shumë se 70 vjeçare të muzikës klasike në Kosovë.
Përndryshe, kjo ndërtesë e RTP-së është ndërtuar në kohën kur shqiptarët kanë vënë themelet e institucioneve shtetërore të Kosovës, duke ndërtuar ndërtesat e rëndësishme publike si Biblioteka Kombëtare, Instituti i Albanologjisë, Universiteti i Prishtinës (kampus i projektuar nga Bashkim Fehmiu, vëllau i aktorit të madh Bekim Fehmiut), Pallati i Rinisë, Radio Prishtina me aneksin, Pallati i shtypit Rilindja, etj.
Na duhet një politikë gjithëpërfshirëse e cila mbron trashëgiminë tonë kombëtare, në gjithë periudhat e saj. Duke filluar edhe nga ndërtesat e institucioneve të përmendura më lartë.
Stop shkatërimit”. / KultPlus.com