25 Prill, 2019 - 8:19 pm
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore sot organizoj punëtorinë “Mbrojtja e përkohshme si masë paraprake në procesin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore”, shkruan KultPlus.
Në këtë punëtori morën pjese përfaqësues të institucioneve të trashëgimisë kulturore të Republikës se Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi, kërkoi nga institucionet e Republikës së Kosovës që ti kushtohet rëndësi e veçante ruajtjes së trashëgimisë kulturore e cila nuk është në nivel të kënaqshëm.
Kushteshi, po ashtu u zotua se Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi do të angazhohen maksimalisht në përkrahjen e të gjitha projekteve të KKTK dhe Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS.
Përfaqësuesi nga Maqedonia e Veriut, Afet Jashari, përgëzoj KKTK për iniciativën e marrë për bashkëpunimin me fqinjët në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore te të gjithë popujve të rajonit tonë.
“Pasi që trashëgimia kulturore është ambasador, ne do t’ju tregojmë botës se institucionet e trashëgimisë kulturore të Maqedonisë së Veriut , Republikës se Kosovës dhe Shqipërisë janë të përgatitura për të bashkëpunuar në të mirë të mbrojtjes se trashëgimisë kulturore”, është shprehu ai.
Drejtoresha e Programeve dhe Zhvillimit të Kulturës në kuadër të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Konzeta Angjeliu, tha se ka besim të plotë se ky aktivitet do shërbej për forcimin e bashkëpunimit tashmë të ngritur në mes të institucioneve tona nëpërmjet kalendarëve kulturore si dhe krijimin e urave të reja të komunikimit në nivele specialistësh, të cilët merren direkt me fushën e trashëgimisë kulturore.
Njw gjw tqw tillw e potencoi edhe Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, Vjollca Aliu.
“Mbrojtja e përkohshme si masë paraprake në procesin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore është titull shumë i qëlluar i kësaj punëtorie, i cili sot ka mbledh specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore”, tha ajo duke falënderuar KKTK për këtë organizim.
Përfaqësuesit të institucioneve të trashëgimisë kulturore shkëmbyen informacione dhe ndanë përvojat e vendeve të tyre me njëri-tjetrin duke shikuar drejtë mundësive për bashkëpunim dhe zgjidhje të përbashkëta të problemeve në fushën e trashëgimisë kulturore.
Pas punëtorisë u realizua vizitë në Parkun Arkeologjik të Ulpianës dhe në Manastirin e Graçanicës./ KultPlus.com