14 Mars, 2018 - 2:18 pm
Për Zotin
Hawking pohonte se është ateist. Thoshte se shkenca ka ofruar “më shumë shpjegime bindëse” në lidhje me origjinën e universit.
“Them se “sikur ta dinim mendjen e Zotit” është njësoj si ta dinim se Zoti ekziston, por ai nuk ekziston. Unë jam ateist”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.
Thoshte: Nuk besoj në Parajsë ose në jetën e pasvdekjes. Ato janë përralla të atyre që i frikësohen territ”.
Mbi inteligjencën artificiale
Inteligjenca artificiale në një moment do të jetë aq e përparuar sa që në thelb do të jetë “formë e re e jetës, që do të jetë më efikase se njerëzit”.
“Druaj se inteligjenca artificiale do të zëvendësojë plotësisht njerizit. Ashtu siç njerëzit mund të krijojnë viruset kompjuterike, dikush do të krijojë inteligjencën artificiale që mund të replikohet”.
“Ndërsa ndikimi afatshkurtër i inteligjencës artificiale kufizohet nga personi që e kontrollon, pasojat afatgjata varen nga ajo se a do të mund ta kontrollojë fare “, thoshte.
Nëse ju thërrasin jashtëtokësorët, mos iu përgjigjni
Konsideronte se jashtëtokësorët inteligjentë mund të jenë të disponuar armiqësisht ndaj njerëzve, madje të synojnë kolonizimin e planetit të pasur me resurse, siç është Toka.
Në ekzoplanetin Gliese 832c ndoshta ka jetë. “Një ditë do të marrim sinjale nga planeti si ky, por duhet të mendojmë mirë a t’i përgjigjemi. Takimi me ndonjë qytetërim të përparuar mund të jetë si takimi i Kolumbos me anasit e Amerikës. Ky nuk përfundoi mirë”.
“Njerëzit duhet të braktisin Tokën dhe të gjejnë shtëpi të re”, kishte deklaruar njëherë.
“Zgjerimi në gjithësi do të ndryshojë plotësisht ardhmërinë e njerëzimit. Shpresoj që qëllimi unik të bashkojë kombet konkurrente, në mënyrë që të përbalemi bashkërisht me sfidat që i kemi përpara…”
Njerëzimi, rreziku i vetvetes
Njerëzimit i kërcënohen një varg rreziqesh të cilat vetë i ka krijuar. Lufta bërthamore, ngrohja globale dhe viruset e krijuara gjenetikisht janë vetëm disa prej tyre.
“Nuk do të ndalemi së përparuari, as të kthejmë procesin e përparimit prapa, prandaj duhet t’i identifikojmë rreziqet dhe t’i kontrollojmë. Jam optimist, besoj se mund ta arrijmë këtë”.
Mbi eutanazinë vullnetare
Hawking nga mosha 18 vjeçare vuante nga sëmundja Lu Gerig (skleroza laterale amiotrofike – ALS) dhe kur mbushi 21 vjet i thanë se kishte edhe dy deri tri vjet jetë.
Ai kishte thënë se njerëzit ndonëse duhet ta kenë të drejtën t’i japin fund jetës kur dëshirojnë, kjo do të ishte gabim i madh. “Sado që jeta të dukej e keqe, gjithmonë ka diçka që mund ta bëni dhe të jeni i suksesshëm. Derisa ka jetë ka edhe shpresë”. Por kishte shtuarKur “nuk i lëmë kafshët të vuajnë, pse do t’i linim njerëzit?”./KultPlus.com