26 Maj, 2019 - 8:00 pm
Kisha e Labovës së Kryqitm e vendosur në fshatin me të njëjtin emër është mes monumenteve më të vizitueshme të trashëgimisë pas qytetit të Gjirokastrës.
Legjenda që shoqëron këtë objekt me emrin e perandorit Justinian dhe kryekomandantit të tij Kostandin Labovitit, flet për ndërtimin e kapelës fillestare në vitin 554. Por struktura aktuale e kishës sipas historianëve dhe arkitektëve i përket shek., X– XI.
Përveç turistëve dhe vizitorëve të huaj vizita në monumente me këtë natyrë po bëhen pjesë e kurrikulës mësimore për shumë shkolla në Gjirokastër. Shkolla “Urani Rumbo” ishte këtë fundjavë në Labovë për tu njohur jo vetëm me monumentin, por edhe me natyrën dhe historinë.
“Duhet të njohin kulturën që ka të bëjë me vendin e vet. Kjo kishë daton që nga periudha e mesjetës, që nga shekulli i V dhe deri në vazhdimësi, që është shekulli i XV. Nxënësit i kanë marrë këto njohuri nëpërmjet lëndëve mësimore dhe është mirë që e prekin historinë edhe nga afër, në natyrë”, thotë Mirela Muho, mësuese e historisë.
“Kemi ardhur për ta vizituar nga afër këtë kishë. Po shohim historinë e saj dhe bimësinë dhe për tu njohur më shumë me vendin”, tha një nxënëse.
“Është shumë e rëndësishme që erdha në këtë vend dhe është hera e parë që vij këtu. Më pëlqeu shumë!”, tha një tjetër nxënës.
Labova e Kryqit është mes monumenteve të rralla të artit bizantin edhe për ikonostasin unik të gdhendur në dru me një simbolikë të komplikuar motivesh floreale dhe zoomotivesh, që i referohen ungjillshkruesve dhe figurave të tilla biblike si Gjon Pagëzori që pasqyrohet në ikonostas nën imazhin e një shqiponje me dy krerë. Ikonostasi është i mbushur me imazhet e personazheve lokale me veshje tradicionale, çka e bën Labovën një pasuri autentike shqiptare.Top Channel/ KultPlus.com