Kisha e Prizrenit bëhet me afreskun e Skënderbeut

27 Nëntor, 2018 - 7:20 pm

Në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, Ipeshkvia e Kosovës në Prizren ka bërë zbulimin e afreskut të Skënderbeut. Ky i fundit është vlerësuar si prodhimi më hyjnor i racës shqiptare dhe modeli më i mirë shqiptar.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se të gjithë duhet të bëjnë përpjekje në ruajtjen e vlerave të qytetit të Prizrenit, sepse sipas tij ky qytet është përbashkues, transmeton Kosovapress.

“Në prag të festës sonë kombëtare 28 Nëntorit, kushtuar Skënderbeut, kushtuar heroit dhe në prag të festave të fundvitit, restaurimi i kësaj pikture është dhurata më e mirë për qytetin tonë. Skënderbeu na ka frymëzuar dhe do të na frymëzojë përherë, ngase ai ka qenë luftëtarë dhe bashkues i shqiptarëve mes vete dhe me botën, kështu për bashkues është edhe qyteti jonë, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë”, ka thënë Haskuka.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vlerësuar se shqiptarët janë komb i vjetur, ku sipas tij askush nuk ka arritur dhe nuk duhet të arrijë të vendos barriera mes tyre.

“Jam i gëzuar që jemi bashkuar sot në 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, jemi bashkuar edhe me një porosi, me anë të një pikture që i dedikohet atij, të një piktori të një populli tjetër që është frymëzuar, ka jetuar dhe ka punuar këtu. Edhe kështu e vërtetojmë që vlerat tona, jo vetëm të historisë, por edhe të artit do të mbijetojnë ndër vite. Për çdo shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu është heroi ynë, është prijësi ynë dhe do të mbetet gjithë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se pasardhësit e të gjithë heronjve janë përball thirrjeve të qytetërimit, ku për shqiptarët, sipas tij, ideali më i çmuar duhet të jetë dashuria ndaj kombit.

“Siç shihet edhe nga portreti i tij në pikturën e restauruar, ishte prodhimi më hyjnor i racës shqiptare. Ishte shpatë në shërbim të atdheut shqiptar, ishte shqiponjë e Shqipërisë, prandaj shekujt që vijnë dhe shkojnë, Gjergj Kastriotit i sigurojnë kurorën e luftëtarit për liri universale. Për vlerat e qytetërimeve më përparimtare të të gjitha epokave deri më sot, Gjergj Kastrioti ishte dhe do të ngelet një kryezot i pa përsëritshëm i lirisë shqiptare, i cili i dha dritë epokës së Rilindjes evropiane, epokës e cila aq shumë kishte nevojë për një titan shqiptar”, ka shtuar Gashi.

Ipeshkvi i Kosovës, Don Lush Gjergji theksoi arsyen e ardhjes në Prizren, duke thënë se Skënderbeu ishte motivuesi në qëndresën heroike.

“Ai ka qenë, ai është dhe ai do të mbetet ati i kombit tonë. Kisha katolike me xhelozi e ka ruajtur figurën e Gjergj Kastriotit në gjirin e vet, në mënyrë që të mos harrohet nga të vetit, të mos përvetësohet nga të tjerët”, ka përfunduar Gjergji.

Don Lush Gjergji së bashku me kryeministrin Haradinaj kanë bërë zbulimin e pikturës së Skënderbeut.

Kujtojmë se ky vit është shënuar si viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ku viti 2018 përkon me 550 vjetorin e vdekjes së tij./KultPlus.com

Të ngjajshme