19 Shkurt, 2023 - 2:33 pm
Vendet e trashëgimisë kulturore janë të shumta në vendin tonë dhe me rijetësimin e tyre ato janë shndërruar ne sajte të vizitueshme që po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e qytetarëve dhe të turistëve.
Një prej këtyre vendeve me interes për t’u vizituar dhe për t’u njohur me historinë e saj, është Kisha e Shën Kollit, Kurjan për të cilën Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore thotë se është ndërtuar në shekullin XIV, në stilin bizantin.
Dikur, kisha ka qenë me kupole mbi tambur, ndërsa sot është një nefëshe dhe e mbuluar me çati druri. E veçanta e kësaj kishe është ndërthurja e tullave me ripërdorimin e elementeve të shumta antike dhe paleokristiane në muret e fasadës së jashtme të saj, fenomen i njohur si spolia.
Pikturat murale në brendësi të saj janë realizuar në shekullin XVI nga ikonografi Nikolla i Onufrit./ atsh/ KultPlus.com