Kisha e Shën Kollit në Vodicë, drejt përfundimit restaurimi i ikonave

6 Maj, 2022 - 9:08 am

Kisha e Shën Kollit në Vodicë, e ndërtuar në shek. XVIII, po kthehet në identitet.

Bashkia e Kolonjës bën të ditur se “punimet restauruese në këtë kishë janë drejt përfundimit”. Pjesë e punimeve restauruese është edhe rehabilitimi i ikonave të kësaj kishe, që janë një pasuri e trashëgimisë kulturore.

“Mirënjohje besimtarëve që kanë kontribuar në restaurimin e plotë të ikonave dhe veçanërisht piktorit Elvis Goliku”, vuri në dukje bashkia e Kolonjës.

Kisha është e ndërtuar në shek. XVIII dhe është e tipit një nefeshe me kupolë në pjesën qendrore dhe me një tambur të lartësuar mbi çati që shpaloset me 9 dritare.

Kupola shkarkon në 4 pilastra që dalin nga qoshet e murit. Pjesa tjetër e mbulesës është me qemer guri dhe tavane me formë të ndërthurur cilindrike dhe sferike.

Kisha ka këmbaneri që është ndërtuar në pjesën jugore të kishës dhe ka lartësi 8 m. Kulla e këmbanërisë është prej mur guri smerc të punuar. E gjithë kisha është me muraturë guri me gur të zonës pak të punuar.

Më herët në këtë kishë është kryer edhe projekti për përforcimin e këmbanores. Ajo është mjaft e frekuentuar nga besimtarët veçanërisht gjatë festave fetare, por shumë pelegrinë e vizitojnë gjatë gjithë vitit këtë vend të shenjtë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme