Kisha e “Shën Marisë” në Elbasan, qendër arsimore për gjuhën shqipe

21 Shkurt, 2025 - 1:15 pm

Kisha e Shën Marisë në Kalanë e Elbasanit është Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 1963.

E ndërtuar rreth vitit 1830 nga komuniteti kristian, mbi themelet e një kishe më të vjetër që daton rreth shekullit XVII, Kisha e Shën Marisë zëvendësoi katedralen e stilit roman, që mendohet të ketë ekzistuar më herët. Ky objekt kulti i tipit me sallë qendrore, i mbuluar me kupolë mbi tambur, shquhet për vlerat e saj etnokulturore e arkitekturore të rralla në rajon.

Burime historike dëshmojnë se në vitet 1656-1661 kisha e Shën Marisë funksiononte rregullisht me vakëfe e të ardhura. Në kodikun e kishës ka të dhëna për dhuratat e qytetarëve, regjistrime të llogarive, të të ardhurave, shpenzimeve, pasurive të patundshme.

Ikonostasi, i ndërtuar tërësisht prej drurit të bushit, u realizua me mjeshtëri nga 40 mjeshtra dibranë përgjatë një dekade. Në të pasqyrohen elementë të besimit kristian, si hardhia e rrushit, kafshë, shpendë dhe lule. Sot ruhen vetëm dy ikona origjinale, ndërsa ikonostasi mbetet një dëshmi e rrallë e artit të gdhendjes në dru.

Kisha e Shën Marisë renditet krah kishave të tjera ortodokse të trevës së Elbasanit që janë monumente kulture si kisha e Amelit, ajo e Shën Kollit në Shelcan, e Shën Kollit në Valësh, kisha e Shën Kozmait dhe Damianit në Sterstan, ajo e Shën Mëhillit në Shalës, kisha e Shën Mërisë në Dragat, e Shën Thanasit në Elbasan etj.

Shën Maria e “Kalasë” së Elbasanit është një dëshmi e thellë e pranisë së kulturës ortodokse në këtë zonë dhe ka shërbyer si qendër arsimore, duke kontribuar në zhvillimin e gjuhës shqipe dhe kulturës së saj./ KultPlus.com

Të ngjajshme