Kisha e Shën Nikollës në Paftal të Beratit, vlerë e shtuar për turizmin kulturor

20 Mars, 2024 - 10:40 am

Kisha e Shën Nikollës në fshatin Paftal të Beratit, është e tipit bazilikal me tre nefe dhe tavan të rrafshët. Kisha është ndërtuar në mars të vitit 1875, sipas mbishkrimit, i cili gjendet i gdhendur mbi gur, jashtë portës perëndimore të kishës.

DRTK Berat shkroi në një postim online se, kjo datë mendohet se i përket ndonjë rindërtimi apo meremetimi të kishës, pasi para kësaj date kisha përmendet prej Anthim Aleksudhit, në botimin e tij (Korfuz, 1868). Gjithashtu edhe në traditën gojore të banorëve të zonës thuhet, se kisha ekzistuese është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe më të hershme.

Monumenti i atribuohet punës së kryemjeshtrit usta Veliko nga Opari i Korçës. Në ditët e sotme kjo kishë prezantohet si një nga objektet e kultit me vlera të rëndësishme historike -arkitektonike dhe për nga pozicioni gjeografik i vendndodhjes së saj ajo është një vlerë e shtuar si për turizmin kulturor në qarkun e Beratit, ashtu edhe një vend i rëndësishëm pelegrinazhi për besimtarët./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme