Kisha e ”Shën Nikollës” në Voskopojë e restauruar, ndër më të bukurat në vend

20 Prill, 2021 - 3:09 pm

Kisha e Shën Nikollës në Voskopojë, tashmë e restauruar, është monument kulture i kategorisë së parë që prej vitit 1948.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti rikujtoi për publikun një nga punët e përfunduara nga institucioni që ajo drejton.

“Restauruam Kishën e “Shën Nikollës” në Voskopojë, Korçë, një nga më të bukurat në Shqipëri”, shprehet Margariti.

Për Voskopojën dhe besimtarët e krishterë ajo përfaqëson një dëshmi të prekshme të rëndësisë historike për zonën dhe jo vetëm. Përfundimi i ndërtimit të kësaj kishe daton që prej vitit 1721. Ky objekt është ndërtuar prej materialit të gurit të tipit bazilikal, me naos me kupolë, narteks dhe hajat. Brendësia e kishës është dekoruar me piktura murale të ekzekutuara nga mjeshtri i shquar David Selenica dhe bashkëpunëtorët e tij Kostandini dhe Kristo.

Kisha e Shën Kollit përfaqëson një ndër monumentet më të rëndësishme të Voskopojës, jo vetëm për sa i përket arkitekturës por gjithashtu edhe cilësisë së pikturave, të cilat mbajnë autorësinë e mjeshtrit të shquar David Selenicës dhe të ateliesë së njohur të Athanas Zografit dhe Kostandin Zografit. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme