14 Gusht, 2018 - 9:00 am
Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut e shpallur monument kulture i kategorisë së parë është atraksioni turistik në bregdetin e Himarës, ku përveç bukurive të bregdetit jonian, turistët mund të prekin nga afër kulturën dhe trashëgiminë.
Kisha është ndërtuar brenda mureve rrethues të kështjellës së Himarës në kuotën më të lartë të saj, në zonën e Barbakasë. Ajo ka shërbyer si selia e Peshkopit të Himarës, e cila bëhet qendër Peshkopale në vitin 1020, nën varësin e Patriarkanës së Ohrit siç dëshmohet nga një diplomë e lëshuar nga perandori i Bizantit Vasili II. Në këndin verilindor të kishës ndodhej një pllakë guri e murosur, ku shkruhej viti 786.
Sipas studiuesit Theofan Popa ka një gojëdhënë në Himarë, që e lidh këtë datë me kohën e ndërtimit të kishës. Megjithatë Aleksandër Meksi që studioi arkitekturën dhe teknikën e ndërtimit të saj, fazën fillestare të ndërtimit e daton në fundin e shek. X, ose fillimin e shek. XI. Për shkak të rëndësisë që kishte kisha si qendër peshkopale, në vitin 1668 një klerik nga urdhri i murgjve Bazilian e përmend Himarën me emrin e kishës duke e quajtur Sergiopoli, që do të thotë qyteti i Sergjit. Në kryengritjet e përsëritura të viteve 1480 kundër perandorisë Otomane, muret e kështjellës së Himarës ishin dëmtuar rëndë, dhe po ashtu edhe kisha peshkopale e Shën Sergjit dhe Bakut.
Himarjotët në letrat e tyre për Mëkëmbësin e perandorit Karli V në Napoli, më 1530, dhe për papën Gregori XIII më 1577, kërkun ndihma në të holla e në specialistë muratorë pikërisht për meremetimin e mureve të rrëzuara të Himarës dhe të kishës peshkopale.
Në hyrjen veriore të ambjentit dytësor është i murosur një qemer, në të cilin janë gdhendur Shqiponjat Dykrenare, që studiuesit i lidhin me heraldikën e Kastriotëve apo simbolet e flamurit të Skënderbeut, që janë gjithashtu simbolet e flamurit tonë kombëtar. Vetë himarjotët në komunikimin me kancelaritë perëndimore dhe me Papët e Romës e quanin veten si pasardhës të Skënderbeut, madje në vitin 1481 kalaja çlirohet nga kryengritësit himariot në bashkëpunim me Gjon Kastriotin, birin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut e ruajti funksionin e saj si kishë qëndrore e besimtarëve të Himarës deri në vitin 1826, kohë kur ndërtohet Kisha e Gjithëshenjtorëve. Sot për shkak të funksionit që ajo ka pasur në të shkuarën nga banorët njihet edhe si Paleoepiskopia.
Kisha ka dy faza kryesore ndërtimi, por muret e kishës ruajnë gjurmë të rindërtimeve të shumta. Ndërtimi fillestar i përket naosit me pjesët e poshtme të mureve, sepse pjesët e sipërme janë ndërtuar disa herë. Një mjedis ndihmës në anën perëndimore është ndërtuar më vonë. Ndërtimi fillestar ndahet në mjedisin e altarit dhe mjedisin e naosit me një ikonostas muri. Kornizat e ikonostasit janë zbukuruar me motive floreale./KultPlus.com