26 Qershor, 2018 - 2:30 pm
Karl Marks është përshkruar shpesh si një nga mendimtarët më të mëdhenj të shekullit të 19-të. Shkrimet e tij kanë frymëzuar revolucione dhe kanë shkaktuar shekuj të tërë debatesh të zjarrta.
Marksi lindi në Prusi, në Gjermaninë e sotme, më 5 Maj të vitit 1818. Ai besonte se kapitalizmi, që në atë kohë ishte në kulmin e vet, kishte të meta të mëdha.
Sipas tij, kapitalistët, në kërkim të fitimeve edhe më të mëdha, do të shtynin ideologjinë që puna është gjë e mirë dhe argëtimi është i gabuar, dhe që vetëm gjërat materiale na bëjnë të lumtur.
Veç kësaj, parashikonte se kapitalizmi, duke përqafuar prodhimin në masë, nuk do t’i lejonte punëtorët të kishin kënaqësi nga puna. Në të njëjtën kohë, kapitalizmi do të shfrytëzonte klasën punëtore.
Ai u përfshi me Lidhjen Komuniste, një grup i vogël intelektualësh që donin ta rrëzonin sistemin e klasave dhe ta shpërndanin pasurinë në mënyrë të barabartë.
Marksi shkroi Manifeston Komuniste në vitin 1847, me mbështetësin dhe financuesin e tij, Friedrich Engels. Në manifesto shprehej ideja e një shoqërie ku pasuria ndahej në mënyrë të barabartë. Në të thuhet që pronat duhej të ishin publike dhe arsimi duhej të ishte falas për të gjithë.
Por në atë kohë Marksi njihej pak dhe lexohej pak. Kur vdiq, në vitin 1883, në funeral i shkuan vetëm 11 persona. Idetë e tij lulëzuan vetëm pas vdekjes.
Bazuar në idetë e marksizmit, erdhi komunizmi, krijimi i një shoqërie të drejtuar nga shteti e ku të gjithë janë të barabartë.
Komunizmi u kthye në lëvizje botërore, por ideja utopiane e një shoqërie të drejtë e të barabartë nuk u materializua asnjëherë. Komunizmi i izoloi dhe i varfëroi nënshtetasit, si dhe u masakruan me dhjetëra miliona. Sot, kapitalizmi mbizotëron në të gjithë botën.
Shumë prej kritikave të Marksit vazhdojnë të mbeten aktuale. Pabarazia midis të varfërve e të pasurve është shumë e madhe. Marksi kishte parashikuar se kapitalizmi do të bënte që të pasurit të bëheshin edhe më të pasur e të varfrit të mbeteshin po të varfër. Për këtë kishte të drejtë.
Marksi gjithashtu parashikonte se kapitalizmi do të krijonte ekonominë me cikle zhvillimi dhe krize, si faza të ndjekura rregullisht nga njëra-tjetra, dhe që kapitalizmi do të çonte drejt globalizimit, ku tregu do të mbizotërohej nga një grup i vogël kompanish gjigante.
Megjithatë, Marksi e nënvlerësoi aftësinë e kapitalizmit për t’i bërë të gjithë njerëzit më të pasur, duke bërë që çdo produkt të dilte në treg me çmim më të lirë. Në fakt, që nga viti 1980, bota ka 1 miliardë njerëz që kanë dalë nga varfëria absolute.
Marksi gaboi dhe nuk parashikoi dot aftësinë e kapitalizmit për t’u reformuar në mënyrë të vetvetishme, duke krijuar sisteme sociale që e rishpërndajnë pasurinë nëpërmjet taksave.
Edhe pse nga Marksi ka ende për të mësuar, zgjidhja që ofronte ishte më e keqe se sëmundja ekzistuese.
Por në të njëjtën kohë, nuk mund të thuhet që kapitalizmi i sotëm, ku mbizotëron pabarazia e thellë dhe krizat financiare, ka arritur të triumfojë, shkruan The Economist./ KultPlus.com