2 Korrik, 2022 - 10:30 am
Jusuf Buxhovi
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 – gurthemel i shtetësisë së Kosovës
Shtetësia e Kosovës është e lidhur ngusht me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990. E shpallur nga 111 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Deklerata zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit, të 10 korrikut 1945, me të cilën Serbia, pasi që kishte anulua me gjak Rezolutën e Bujanit, e aneksoi Kosovën.
Kështu, Deklarata e 2 korrikut, me shpalljen e Kosovës njësi të barabartë të federatës jugosllave, ua hapi rrugën veprimeve të mëtutjeshëm (Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtatorit 1990 kur edhe u shpall Republika e Kosovës, Referendumit për Pavarësi të vitit 1991 si dhe zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të Kosovës të vitit 1992), me të cilat u rrumbullaksua legjitimiteti i infrastrukturës demokratike të shtetit të pavarur të Kosovës.
Shpallja e Kosovës shtet i pavarur, më 17 shkurt 2008, rikofirmoi këtë proces historik që filloi më Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe u përmbyll me Referendumin për Pavarësi të vitit 1991.
Andaj, për historikun e shtetësisë së Kosovës 2 korriku 1990 paraqet gruthemelin e saj.
Teksti i plotë i Deklaratës Kushtetuese i botuar në “Fletorën Zyrtare” të KSAK, nr 21, më 3 korrik 1990.
1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.
Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”
(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat)./KultPlus.com