11 Korrik, 2021 - 7:01 pm
Kocka e gishtit të një dreri parahistorik të gdhendur me vija nga neandertalët 51 mijë vjet më parë është një nga veprat më të vjetra të artit të gjetura ndonjëherë – ky është konstatimi që kanë nxjerrë shkencëtarët. Zbulimi është një provë e mëtejshme se neandertalët ishin të aftë ta shprehnin simbolizmin përmes artit – diçka që dikur i atribuohej vetëm specieve tona, Homo sapiensit.
“Qartazi nuk është një varëse apo diçka e tillë”, ka thënë Thomas Terberger, profesor dhe arkeolog i parahistorisë në Universitetin e Göttingen, i cili ishte bashkautor i një studimi për këtë objekt, që është botuar në revistën “Nature Ecology & Evolution”. “Është ashiqare një zbukurim me një lloj karakteri simbolik… Ju mund ta quani atë edhe fillesë e artit, diçka që nuk u bë rastësisht por me një plan të qartë në mendje”.
Kocka u zbulua në një shpellë në Malet Harz të Gjermanisë Qendrore, rreth 241 kilometra në jugperëndim të Berlinit. Pjesa e përparme e tij është gdhendur me vija të njëpasnjëshme – vija në formën e një V-je të përmbysur – që duket se drejtohen lart dhe arkeologët kanë dalluar gjithashtu një linjë të prerjeve më të vogla në qoshen e saj të poshtme, e që duket se ka shërbyer si bazë e saj.
“Ne po e provonim dhe ky objekt mund të qëndrojë i vetëm në bazën e tij, nuk lëkundet ose kthehet përmbys, pra asgjë”, ka thënë arkeologu Dirk Leder nga Zyra Shtetërore e Trashëgimisë në Saksoninë e Poshtme, i cili udhëhoqi gërmimet që zbuluan kockën. “Ndoshta ishte lënë në këmbë në një cep të shpellës”.
Ai ka thënë se kocka e gdhendur u zbulua së bashku me kockat e shpatullave të drerit dhe kafkës së paprekur të një ariu shpelle – objekte të rralla që mund të dëshmojnë se kishin kuptim ritual.
Hulumtimi ka vërtetuar se kocka është 51 mijë vjet e vjetër – më e vjetër se çdo vepër arti e krahasueshme që u atribuohet neandertalëve.
Arkeologët kanë gjetur gjithashtu talonat e shqiponjës antike të përdorura si varëse nga neandertalët dhe pikturat e shpellave në Spanjë që mund të jenë më të vjetra, por datimi i tyre është i diskutueshëm, ka thënë Terberger. Ka shtuar se në këtë rast, për herë të parë, ata kanë një objekt të një date të besueshme.
“Einhornhöhle” – ose “Shpella e Njëbrirëshit” – ku u zbulua kocka e gdhendur, ka qenë e famshme që prej shekullit të 16-të dhe tani është një atraksion turistik. Emrin e mori nga kockat e fosilizuara të gjetura atje, gjoja nga një njëbrirësh, që dikur ishin grumbulluar për të bërë ilaçe.
Gërmimet që nga vitet 1980 kanë vërtetuar se shpella ishte e banuar nga breza të njëpasnjëshëm të neandertalëve, nga të paktën 130 mijë vjet më parë deri rreth 47 mijë vjet më parë.
Leder ka thënë se më vonë grupe të Homo sapiens gjithashtu banuan në shpellë, por vetëm shumë më vonë, pas rreth 12 mijë vjetësh. Ai ka thënë se dëshmia më e hershme për Homo sapiens në juglindje të Evropës është rreth 45 mijë vjet më parë dhe nuk mendohet se ata mbërritën në Evropën Qendrore deri të paktën 10 mijë vjet pas kësaj.
Arkeologët mund të hamendësojnë për kuptimet e gdhendjeve dhe nëse ato kanë ndonjë kuptim. “Kjo është mjaft unike”, ka thënë Leder. “Ne nuk e shohim atë askund në literaturën paleolitike”. “Ne po diskutonim interpretime të ndryshme… Forma mund të ishte si një figurë femre me kokën dhe pjesën e gjoksit, por atëherë modeli i vijave për disa prej nesh dukej si tri male me radhë – një pamje peizazhi”, ka thënë ai.
Analiza mikroskopike e kockave tregon se gdhendjet janë shumë të thella, gjë që sugjeron se ishte zier për ta zbutur para se të gdhendej. Ai ka thënë se speciet e drerit parahistorik nga i cili ishte marrë kocka ishin gjithashtu të rralla në rajon në atë kohë dhe jashtëzakonisht të mëdha, gjë që mund të sugjeronte që veprat artistike kishin një rëndësi të veçantë.
Zbulimi është më shumë provë se neandertalët nuk ishin vetëm njerëz shpelle memecë, siç besuan dikur shkencëtarët, por ishin të aftë për shprehje artistike ose simbolike – diçka që dikur mendohej të ishte unike për Homo sapiens, ka thënë Bruce Hardy, profesor i Antropologjisë në Universitetin Kenyon në Ohio, i cili nuk ishte përfshirë në studimin e fundit.
Ai ka thënë se ka të ngjarë që shumë objekte artistike të neandertalit ishin gdhendur në dru, një material shumë më i lehtë për ta punuar sesa guri ose kocka.
Ka shtuar se fakti që kishte prova në rritje të shprehjes artistike simbolike nga neandertalët, si dhe nga Homo sapiens më vonë, sugjeroi që speciet hominin – që ishin paraardhësit e të dyve – kishin po ashtu aftësi për shprehje artistike.
“Nëse ato dy grupe të ndryshme gjithashtu kanë një paraardhës të përbashkët, shanset janë që paraardhësi i përbashkët gjithashtu të ketë një shkallë të aftësisë simbolike, që do të thotë se shkon shumë më mbrapa”, ka thënë ai.
Vetë kërkimi i Hardyit ka përfshirë zbulimin e asaj që duket të jetë një pjesë e vargut neandertal – një teknikë e epokës së gurit që nuk është parë më parë.
Arkeologu Andrew Sorensen nga Universitetit i Leidenit në Holandë ka thënë se analiza e shenjave në kockë tregon se ato nuk mund të kenë qenë rezultat i brejtjes së rastësishme nga mishngrënësit.
“Këndet relativisht të rregullta të vijave kryqëzuese janë veçmas bindëse se këto shenja janë krijuar qëllimisht nga neandertalët”, ka shkruar ai në një përgjigje me e-mail.
Ka shtuar se mundësia që kocka të ishte zier për ta bërë më të lehtë për t’u punuar ishte veçanërisht interesante. Hulumtimi i tij përqendrohet në përdorimin e zjarrit nga neandertalët, i cili gjithashtu shihet si provë e aftësisë së tyre për të përdorur metoda relativisht të përparuara. /koha/ KultPlus.com