18 Gusht, 2018 - 7:56 pm
Fituesi i Nobelit për Paqe i vitit 2001, dy vjet para se të nderohej me këtë çmim, në shënimin e njëqindvjeçarit të Konferencës Ndërkombëtare të Paqes në Hagë, kishte adresuar çështjen e Kosovës.
Më poshtë keni deklaratën e plotë të Annan:
Hagë,
18 Maj, 1999
Jam i privilegjuar që ju bashkohem sot në këtë komemoracion historik. Po takohemi në një kohë lufte për të përsiatur çmimin e paqes. Po takohemi që t’i nderojmë burrat dhe gratë vizionarë që kërkuan ta bëjnë shekullin e njëzetë më paqësor se atë të mëparshmin. Po takohemi që ta nderojmë fuqinë e shpresës para eksperiencave njerëzore. Sidoqoftë, është jo vetëm shpresa, por njashtu edhe frika, që na kanë bërë bashkë sot – frika e përsëritjes së tmerreve të luftës dhe gjenocidit, tmerreve që nuk do të mund t’i imagjinonte asnjë anëtar i Konferencës së Hagës më 1899.
E dimë që kauza e tyre – sot, njëqind vjet më vonë – është pos më e rëndësishme, më e nevojshme, më urgjente. E dimë këtë sepse po takohemi në hijen e një lufte që risjell më të keqen e shekullit tonë – krimet kundër njerëzimit, vrasjet masive, dhe dëbimin në masë të një populli të tërë thjesht shkaku i asaj që janë. Është e vështirë – në praninë e tmerreve të tilla – të mos e humbësh tërësisht besimin në njerëzimin. Pas tërë asaj që ky shekull e ka duruar, nëse Evropa nga ana e vet mund t’i shohë prapë krimet në Kosovë, a mundemi fare të arsyetohemi kur flasim për progresin njerëzor? Si mund të themi që konferencat si ajo e Hagës na kanë tërhequr nga tehu i shkatërrimit, kur humnera na shfaqet përpara në ekranet e televizorëve tanë secilën orë të secilës ditë?
Sot, dëshiroj ta ofroj një përgjigje që disave mund t’ua japë ca shpresë për të ardhmen, por po ashtu që të zbuloj se sa larg jemi nga realizimi i vizionit të atyre që i nderojmë sot. Kur ata u mblodhën në këtë qytet 100 vjet më parë, qëllimi i tyre ishte jo që t’i jepnin fund luftës, por ta parandalonin një të tillë në të ardhmen. Ata ishin pionierë të parandalimit të konfliktit. Kërkonin zhvillimin e instrumenteve për zgjidhjen paqësore të krizave, parandalimin e luftërave dhe kodifikimin e rregullave të luftës, synonin të sillnin parime bazë të humanitetit brenda aspektit më johuman të ekzistencës. Të gjitha përpjekjet e tyre ishin inspiruar, me fjalë të Preambulës, nga “dëshira për t’i zvogëluar ligësitë e luftës, aq shumë sa lejojnë kërkesat ushtarake”. Këto fjalë munden t’i shfaqin fort mirë limitet dhe arritjen e Konferencave së Hagës.
Me gjithë dështimin kryesisht në fushën e kufizimit të armatimit, ata ishin të suksesshëm në marrëveshjet paqësore të konflikteve ndërkombëtare. Ata rezultuan në shumë raste të arbitrazheve të suksesshme ndërkombëtare, sa i përket definimit të natyrës së arbitrazhit dhe kodifikimit të rregullave të procedurave të tij. Lindën Idenë e një gjykate të përhershme ndërkombëtare që çoi në themelimin e Gjykatës së Përhershme të Drejtësisë Ndërkombëtare më 1922, pararendëse e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në një kuptim më të gjerë, fryma dhe ideja pas Konferencës së Hagës, hapi rrugën për krijimin e vetë Kombeve të Bashkuara. Një regjim ligjor i paqes ndërkombëtare dhe sigurisë ishte institucionalizuar përmes Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke i obliguar shtetet nënshkruese me një rang të gjerë kufizimesh në përdorimin e forcës.
Ajo që është e qartë jo vetëm nga forma e ligjit ndërkombëtar – por gjithashtu edhe nga realiteti i konfliktit sot – është një përpjekje dinamike që kërkon vendosmëri të vazhdueshme nga të gjithë ata që kërkojnë bashkë-ekzistencë paqësore mes kombeve. Që nga 1996, kemi parë adaptimin e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, hyrjen në fuqi të Konventës për Armë Kimike, hyrjen në fuqi të Konventës së Minave Tokësore, dhe mbi të gjitha, adaptimin e Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Gjykata Penale Ndërkombëtare, sipas meje, përfaqëson aktin më të madh të vetëm të progresit të drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Adaptimi i Statutit ishte një hap i madh drejt universalizimit të luftës kundër mosndëshkimit duke përfshirë secilin shtet, secilin lider, dhe secilën ushtri fajtore për krimet kundër njerëzimit tonë të përbashkët. Sidoqoftë, sundimi i ligjit në raport mes Shteteve nuk mund të kufizohet vetëm në ligjvënie Respekti ndaj obligimeve ligjore ndërkombëtare është një bërthamë e domosdoshme e sistemit të cilin e kërkojmë. Prandaj përtëritja efikasitetit dhe rëndësisë së Këshillit të Sigurimit duhet të bëhet gur-themel i përpjekjeve tona për të promovuar paqen ndërkombëtare dhe sigurinë në shekullin e ardhshëm.
Që prej fundit të Luftës së Ftohtë, bota ka parë raste të rëndësishme në të cilat Këshilli ka reaguar me përgjegjësi dhe ka legjitimuar operimet paqeruajtëse dhe përdorimin e forcës kur ato ishin të drejta dhe të nevojshme. Amerika Qendrore dhe ndryshimi i agresionit të Irakut kundër Kuvajtit janë shembuj kryesorë që Këshilli i Sigurimit e ka luajtur rolin që i ishte paraparë nga themeluesit e tij.
Sidoqoftë, së fundi ka qenë një tendencë për të ardhur keq që Këshilli i Sigurimit të mos përfshihet në përpjekjet e ruajtjes së paqes ndërkombëtare dhe sigurisë. Rasti i Kosovës e ka bërë të qartë faktin që Shtetet Anëtare dhe organizatat rajonale nganjëherë ndërmarrin veprime pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit.
Një trend paralel ka qenë shpërfillja e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i Sigurimit nga Shtetet individuale Anëtare, madje edhe nga organizatat rajonale. Përpos kësaj, Shtetet kanë dështuar që të bashkëpunojnë me Këshillin e Sigurimit në një sërë fushash, që prej çarmatimit dhe Mospërhapjes e deri te bashkëpunimi me Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi dhe me misionet hetuese të Kombeve e Bashkuara për të drejtat e njeriut.
Sigurisht, interesi kombëtar luan një rol shumë të madh dhe të përhershëm në vendimin në disa raste të Shteteve për të zgjedhur alternativa ndaj sigurisë kolektive. Për më tepër, mospërhapja e marrëveshjeve rajonale dhe nën-rajonale, preferenca për të ashtuquajturat “koalicione të të gatshmëve “, pikëpamjet divergjente në rritje përbrenda Këshillit, dhe dalja e një Superfuqie të vetme dhe Fuqive të reja rajonale, të gjitha këto kanë kontribuuar në situatën aktuale.
Sipas meje, ajo që ka qenë më shqetësuese ka qenë paaftësia e Shteteve që t’i pajtojnë interesat kombëtarë kur diplomacia vizionare dhe e shkathët e bënte të mundur unitetin. Interesi kombëtar është tipar i përhershëm i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i jetës dhe punës së Këshillit të Sigurimit. Por teksa bota pandryshuar thellësisht që prej fundit të Luftës së Ftohtë, besoj që konceptimet tona të interesit kombëtar kanë dështuar që të ndiqen , dhe kjo duhet të ndryshojë.
Një definicion më i ri – me përkufizim më të gjerë dhe me konceptim më të shtrirë – i interesit kombëtar në një shekull të ri, jam i bindur, që do t’i stimulonte Shtetet që të gjejnë unitet shumë më të madh në ndjekjen e një Karte kaq themelore vlerash si demokracia, pluralizmi, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.
E them këtë pasi që besoj se na është prezantuar pikërisht një rast i tillë në Kosovë.
Siç mund ta kujtoni, reagimi im për vendimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) për të ndërmarrë veprime pa kërkuar autorizim eksplicit të Këshillit të Sigurimit ishte i dyfishtë: Unë e identifikova Këshillin e Sigurimit si përgjegjës kryesor për ruajtjen e paqes ndërkombëtare dhe sigurisë. Me theks të njëjtë, po ashtu kam deklaruar që ishte refuzimi i një marrëveshjeje politike nga autoritetet jugosllave që e bëri këtë aksion të nevojshëm, dhe që, vërtetë, ka “raste kur përdorimi i forcës mund të jetë legjitim në kërkimin e paqes”.
Pendesa ime atëherë – dhe tash – është që Këshilli nuk mundi t’i unifikonte këto dy interesa të obligative – dhe dy prioritete obligative – të komunitetit ndërkombëtar. Kjo është fort e qartë: nëse Këshilli i Sigurimit rikthehet në pozitën e vet kryesore si burim i vetëm i ligjshmërisë në përdorimin e forcës, atëherë jemi rrugës së rrezikshme drejt anarkisë. Po aq e rëndësishëm, përpos nëse Këshilli i Sigurimit mund të bashkohet rreth synimit për konfrontim me shkeljet madhore të të drejtave të njeriut dhe krimeve kundër njerëzimit në shkallë si ato në Kosovë, atëherë ne do t’i tradhtojmë po ato ideale që inspiruan themelimin e Kombeve të Bashkuara.
Kjo është sfida thelbësore e Këshillit të Sigurimit dhe Kombeve të Bashkuara si tërësi në shekullin tjetër: të bashkohemi pas parimit që shkeljet madhore dhe sistematike të të drejtave të njeriut të kryera ndaj një populli të tërë nuk mund të lejohen që të qëndrojnë. Sepse në një botë ku globalizmi ka kufizuar aftësinë e Shteteve që t’i kontrollojnë ekonomitë e tyre, t’i rregullojnë politikat financiare , dhe ta izolojnë veten nga dëmtimi i ambientit dhe migrimi njerëzor, e drejta e fundit e Shteteve nuk mund të jetë e drejta për të skllavëruar, persekutuar apo torturuar qytetarët e vet.
Me fjalë të tjera, zgjedhja nuk duhet të jetë mes unitetit dhe mosveprimit të Këshillit përballë një gjenocidi – si në rastin e Ruandës, në një anë; apo ndarja e Këshillit, veprimi rajonal, sikurse në rastin e Kosovës, në anën tjetër. Në të dyja rastet, Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara është dashur të jenë në gjendje ta gjejnë një pajtim në mbështetjen e parimeve të Kartës, dhe të gjejnë unitet në të mirë të mbrojtjes së humanitetit tonë të përbashkët.
Në vigjilje të një mileniumi të ri, i kërkojmë këto Kombe të Bashkuara – të përgjegjshme ndaj një bote dinamike dhe të ndryshueshme, me respekt ndaj sovranitetit të Shteteve dhe të rikuperueshme në vendosmërinë e tyre që t’i avancojë të drejtat dhe liritë e njerëzve të botës. /Përkthimi i realizuar nga Klan Kosova. /KulPlus.com