Koleksioni i artit grafik “scissorette”, në Muzeun “Bratko”

27 Mars, 2025 - 1:15 pm

Muzeu Oriental “Bratko” në Korçë është shtëpia e disa prej siluetave të George D. Mborjes. Këto vepra janë të ruajtura në formatin e tyre origjinal, të kornizuara dhe të shënuara me emrin e personazhit, datën dhe vendin e realizimit dhe të firmosura nga vetë artisti.

Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, përmes rrjeteve sociale ndau një album fotografik të këtyre siluetave të cilat i vlerësoi si, një mjeshtëri e prerë në letër dhe e gdhendur në histori.

Ky art i veçantë grafik quhet “Scissorette”, ku me prerje të sakta në letër të zezë George D. Mborja realizonte silueta portretesh me elegancë dhe precizion.

Për mbi 20 vite, ai krijoi mijëra figura në SHBA, një pjesë e madhe e të cilave ruhen në Institutin Smithsonian në Washington D.C.

George Dhimitër Mborja lindi në Korçë e më pas, në moshën 17-vjeçare, emigroi në SHBA ku përfundoi edhe studimet në shkolla arti. Ai punoi në Hollywood-it si dizainer teknolog për filma vizatimorë, ku u bë i njohur për siluetat e tij “scissorette”. Ai priste silueta me gërshërë për aktorët e njohur të Hollywood, disa prej të cilave janë të ekspozuara në Muzeun “Bratko”.

Muzeu Oriental “Bratko” në qytetin e Korçës, pas rikonstruksionit është shndërruar në një atraksion të jashtëzakonshëm për vizitorët. Muzeu i Artit Oriental “Bratko” u çel në qershor të vitit 2003, duke përmbushur ëndrrën e Dhimitër Mborjes (1903-1990), artist, fotograf dhe koleksionist i artit aziatik dhe antikuareve.

Në këtë muze ekspozohen 432 objekte si piano, altar kinez, veshje për gra japoneze, funde e rripa kinezë, shpatë indoneziane, medalje europiane, piktura japoneze, fotografi të ndryshme, të cilat Mborja i ka realizuar kur shërbente me misionin e OKB-së./ KultPlus.com

Të ngjajshme