20 Prill, 2019 - 9:20 am
Ka më shumë se gjashtë muaj që kjo shtatore ndodhet në atelienë e skulptorit Agon Qosa.
Që nga tetori i vitit të kaluar, vepra kushtuar pajtuesit të gjaqeve, Anton Çetta, është gati për t’u vendosur në kryeqytet. Por, Komuna e Prishtinës ende nuk e ka caktuar një lokacion për shtatoren e porositur nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.
Opsione të ndryshme për lokacionin e vendosjes së shtatores, janë përmendur nga krerët komunalë, por një vendim i prerë ende nuk është marrë, transmeton Express në KTV.
Në korrik të vitit që shkoi, Instituti Albanologjik i Prishtinës e refuzoi kërkesën që shtatorja e Çettës të vendoset në oborrin e këtij institucioni me arsyetimin se nuk është vend adekuat.
Shtatorja e shkrirë në bronz, ndodhet në atelienë e skulptorit në Ferizaj dhe Qosa thotë se vepra mund edhe të dëmtohet duke qëndruar në ambient të mbyllur.
Skulptori thotë se nuk e kupton neglizhencën institucionale për gjetjen e një vendi ku do të vendoset shtatorja.
Riza Krasniqi, anëtar i Këshillit Organizativ për shtatoren e Çettës, thotë se është i zhgënjyer me faktin që nuk po gjendet vendi për vendosjen e veprës.
Këshilli Organizativ për vendosjen e shtatores së Çettës është duke pritur një takim me të parin e Prishtinës.
Selim Pacolli, nënkryetar i Komunës së Prishtinës, thotë se janë tri lokacione brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës që aktualisht po shqyrtohen për vendosjen e shtatores.
Shtatorja e Anton Çettës ka kushtuar 60 mijë e 800 euro. Problemet për lokacionin se ku do të vendoset kanë nisur para më shumë se dy vjetësh. Mospajtimet ndërmjet Institutit Albanologjik, me Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Arsimit, kishin bërë që të skadonte edhe afati për vendosjen e shtatores.