15 Maj, 2018 - 11:30 am
Komuna e Prizrenit të hënën ka njoftuar se ka filluar me rrënimin e ndërtesave të vjetra dhe të amortizuara që janë në rrënim e sipër dhe që paraqesin rrezik për kalimtarët.
Bazuar në njoftimin e Komunës, pas vlerësimit të komisionit të formuar nga Drejtoria e Emergjencave, janë identifikuar objektet për rrënim që janë të rrezikshëm për qytetarët. Në përzgjedhjen e tyre, sipas njoftimit të Komunës, ka ndikuar edhe fakti që objektet në fjalë nuk kanë vlera të trashëgimisë kulturore dhe nuk gjenden në Qendrën Historike të Prizrenit.
Mirëpo autoritetet e trashëgimisë kulturore përkatësisht zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren kanë pohuar se nuk kanë qenë pjesë e procesit të vlerësimit të vlerave të këtyre ndërtesave. Sipas legjislacionit MKRS-ja përkatësisht QRTK-ja përbën autoritetin e vetëm kompetent për vlerësimin e aseteve të trashëgimisë, me ç’rast nuk duhet harruar se edhe përditësimi i listës së përkohshme të monumenteve të mbrojtura është një proces dinamik dhe i vazhdueshëm. Prandaj konstatimi i organeve komunale për mungesën e vlerave të këtyre ndërtesave është i pa bazuar dhe joligjor, për faktin se në vendimmarrje nuk është përfshirë QRTK-ja.
EC Ma Ndryshe konsideron se Komuna mund të ketë argumente që për hir të sigurisë së qytetarëve veprimi ka qenë i nevojshëm, por megjithatë përkujton se vlerat e ndërtesave mund të konstatohen vetëm nga autoritetet e trashëgimisë kulturore. Prandaj rekomandon që në ndërtesat në fjalë fillimisht të merren masa parandaluese, që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve dhe e kalimtarëve të rastit. Duke e konsideruar se rrënimi i aseteve të trashëgimisë kulturore paraqet një proces të pakthyeshëm të vlerave, EC Ma Ndryshe kërkon urgjentisht që Komuna të konsultohet me autoritetet e trashëgimisë kulturore para se të vazhdojë me çfarëdo procesi të rrënimit./ KultPlus.com