6 Korrik, 2018 - 5:15 pm
Komuna e Vushtrrisë do të nderojë qytetarë të saj, figura të çmuara që kanë dhënë kontribut të madh për çështjen kombëtare. Ndër ta është Avdyl Uka, mërgimtar që jeton në Suedi dhe anëtar i kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “ Papa Klementi XI Albani” në Suedi, përcjellë KultPlus.
Një delegacion i kësaj shoqate, i kryesuar nga kryetari Hysen Ibrahimi, u prit sot në një takim të veçantë nga kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. Me këtë rast, Tahiri theksoi nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë me anëtarët e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” dhe me mërgimtarë të tjerë në Suedi, siç tha ai, për të marrë përvojën e mirë të Suedisë për zhvillimin e komunës. Kohëve të fundit, Xhafer Tahiri kishte vizituar qytetin Vezjo të Suedisë dhe tha se është shumë i rëndësishëm këmbimi i përvojave dhe zhvillimi i projekteve për qytetin që ai e drejton.
Tahiri, çmoi punën e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, në veçanti përkushtimin e kryetarit Hysen Ibrahimi, për gjithë kërkimet që ka bërë për kontributin e shqiptarëve dhe i ka botuar në librat e Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi. Më këtë rast, Hysen Ibrahimi i dorëzoi Tahirit vëllimin e nëntë të Thesarit Kombëtar, i cili ka dalë këtë vit dhe librin “Monument dashurisë së përflakur për atdhe”, të autores Hyrë Tejeci Murati, i cili është një përmbledhje e 9 vëllimeve të Thesarit Kombëtar. Tahiri shprehu përkrahjen e tij për kulturën dhe krijimet që vijnë sidomos nga mërgata shqiptare.
SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, me përkrahjen e shumë mërgimtarëve në Suedi, i ka propozuar kryetarit të komunës së Vushtrrisë që vepra e Avdyl Ukës të shënohen me një pllakë historike në shtëpinë e Avdyl Ukës, ku ai ka bërë historinë duke mbrojtur pragun e shtëpisë dhe familjen e tij në një përballje të drejtpërdrejtë me pjesëtarë të policisë serbe në vitin 1991, të asaj historie vepër kjo e cila parandaloj policinë serbe të futej nëpër shtëpitë shqiptare. Historia e familjes Uka është e shkruar në librin e vetë Avdyl Ukës “Mbrojtja e pragut të Shtëpisë”, pastaj në librin Thesar kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi dhe në shumë vepra të tjera të autorëve shqiptarë në Suedi.
Xhafer Tahiri tha se do t’i përmbushë më shumë përkushtim këto kërkesa dhe do të evidentohen edhe familje dhe raste tjera në Vushtrri, ku do të vendosen pllaka të ngjashme me përmbajtje historike. Dhe Avdyli në vitin 2020 do të shpallet Nderi I Qytetit për Vushtrri.
Vitin e ardhshëm do të mbahet një manifestim më i gjerë, ku do të jenë në qendër martirët e Studimës, tha Tahiri, ndërsa anëtarët e SHSHASH janë të ftuar specialë të kësaj ngjarje tha ai. Ndërkaq, Hysen Ibrahimi bëri të ditur se në vëllimin e nëntë të Thesarit Kombëtar një kapitull i veçantë i është kushtuar 117 martirëve të Studimes dhe familjeve të tyre.
Hysen Ibrahimi vlerësoi mikpritjen që iu bëri kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri. “Kam vizituar shumë zyra të presidentëve, të kryetarëve, kryeministrave, por, nuk më ka ndodhur të shoh që një kryetar komune, të heqë derën e zyrës dhe të mbajë atë hapur për secilin qytetar. Transparenca për qytetarin është gjëja më e mirë për një drejtues institucioni”, tha Ibrahimi.
Në vizitën e sotme te kryetari i Vushtrrisë, bashkë me Hysen Ibrahimin, ishin edhe përfaqësues tjerë të SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, si: Bajram Muharremi, Avdyl Uka, Adem Ahmeti, Adnan Jetullahu dhe Lulzim Meholli, si dhe Fadil Uka nga Vushtrria. /KultPlus.com