27 Qershor, 2019 - 7:18 pm
Konferenca e parë mbi Kosovën në ish-Jugosllavi
Në janar të vitit 1989 në Lubljanë, në « Cankarjev dom », u mbajt Konferenca e parë shkencore në ish-Jugosllavi kushtuar Kosovës. Profesor Hivzi Islami e organizoi këtë konferencë bashkë me kolegët e vet nga Ljublana – Tonçi Kuzmanic dhe Slavko Gaber. Ishte Konferenca e parë, ndonëse Kosova u bë, që nga viti 1981, territor i përshkallëzimit gradual të trajtave të shumfishta të terrorit jugosllav e serb mbi shqiptarët dhe institucionet e Kosovës.
Disa muaj pas, u botua libri me kumtesat e 15 autorëve nga Kosova dhe nga Ljubljana, Zagrebi, Beogradi e Shkupi. Në këtë libër u botuan edhe tetë intervista rrënjësore, me qytetarë të Kosovës e njëherazi edhe interpretimi i hulumtimit të opinionit publik në Kosovë.
Në Përmbajtjen e librit rradhiten këto kumtesa :
Muhamedin Kullashi : Kriza e Kosovës dhe kriza e Jugosllavisë ;
Rudi Rizman : Mbi të kuptuarit sociologjik të popujëve dhe kombësive ; Hivzi Islami : Problemet demografike të Kosovës dhe interpretimi i tyre ; Shkelzen Maliqi : Kosova si katalizator i krizës jugosllave ;
Rexhep Ismajli : Gjuha shqipe në Jugosllavi ;
Fehmi Agani : Qasje kritike ndaj diskursit politik mbi Kosovën ;
Gani Bobi : « Drama » e Kosovës dhe « mëkati » kominternian ;
Branko Horvat : Kontribut për debatin ;
Slobodan Samardzic : Dilema e reformave jugosllave – midis nacionales dhe demokratikes ;
Isuf Berisha : A është e mundshme përbashkësia në Jugosllavi ?;
Lev Kreft : Kosova është problem ;
Jasa Zlobec : Kontribut për diskutimin ;
Lino Veljak : Teza për shqyrtimin mbi Kosovën, Sërbinë dhe Jugosllavinë ; Vlasta Jalusic, Tonci Kuzmanic : Dhuna mbi shqiptarët.
Ky tubim dhe libri me kumtesa pati jehonë në ish-Jugosllavi dhe nxiti debate lidhur me problemet që u shtruan. Pesha e Konferencës dhe librit u shfaq me nivelin intelektual të analizave kritike mbi zhvillimet në Kosovë midis vitit 1981-1989. Nê disa media tê Beogradit u paraqitên kërcënime të qarta ndaj autorêve nga Kosova.