14 Shkurt, 2023 - 4:00 pm
Ministria e Kulturës ka shpallur konkursin ndërkombëtar për projektide mbi restaurimin dhe muzealizimin e Muzeut “Besa”.
Qëllimi i konkursit është të përftohen koncepte bashkëkohore dhe vizionare për ndërhyrje të karakterit arkitekturor dhe restaurues për rehabilitimin dhe adaptimin e objektit ekzistues me status “Monument Kulture”, kategoria I, si dhe ndërhyrje rijetësuese, të cilat synojnë krijimin e një hapësire të re kulturore të shtuar në kryeqytet.
“Muzeu i Besës” lartëson një nga vlerat më të rëndësishme të trashëgimisë identitare të krijimit të kombit shqiptar.
Ky kod i pashkruar ka orientuar shoqërinë, duke ruajtur ekuilibra moralë dhe shoqërorë. Në cilësinë e fjalës, ajo kornizon sot një popull, i cili orientohet e beson në forcën e fjalës, duke i dhënë asaj një peshë gati hyjnore.
“Besa” nuk është vetëm një muze, ajo do të shërbejë si një pikë takimi, qendër dialogu për shkëmbime kulturore e më tej.
Ndërhyrjet në këtë objekt do të zhvillohen në tre linja: ndërhyrje restauruese, ndërhyrje rijetësuese/funksione të reja si dhe muzealizim.
Konkursi do të zhvillohet në dy faza. Faza e parë ka të bëjë me shprehjen e interesit, në përfundim të së cilës do të shpallen 5 finalistë që do të shpërblehen me çmimin 40,000 euro secili.
Faza e dytë është projektkoncepti, finalisti i së cilës do të lidhë kontratën për hartimin e projektzbatimit. /atsh / KultPlus.com