5 Dhjetor, 2021 - 9:15 am
Ikona “Shën Nikolla” që vjen nga kisha e fshatit Sinicë, në Korçë i është nënshtruar procesit të restaurimit.
Prej disa vitesh kjo ikonë ndodhet në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë dhe po i nënshtrohet restaurimit, konsolidimit dhe studimit nga ana e Laboratorit të Restaurimit, për t’i rikthyer identitetin dhe vlerat që ajo mbart.
Kjo ikonë mendohet të ketë qenë pjesë e ikonostasit të kishës të Shën Nikollës, e cila është ende në këtë fshat. Shën Nikolla paraqitet i ulur në fronin despotik, i cili është pikturuar me kujdes me dekoracione të stërholluara motivesh floreale, plot elegance. Edhe Shenjti ka veshur një sako të zbukuruar po me motive floreale , trëndafila të bardhë e blu, mbi supe ka hedhur një omofor të bardhë të zbukuruar me kryqe. Në qafë mban të varur një medalion me portretin e Krishtit. Ai është pikturuar në sfondin e një qielli gjithë dritë dhe sipër tij rrezaton Shpirti i Shenjtë në formën e një pëllumbi.
Ikona nuk është firmosur nga autori por duke e krahasuar me një ikonë tjetër nga po ky Ikonostas, e cila është pjesë e fondit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar specialistët thonë me bindje të plotë se ajo është pikturuar prej Johan K. Zografit nga Litohori rreth vitit 1870.
Shtresa e gruntit është tepër e dëmtuar për shkak të kushteve jo të mira dhe me shumë lagështirë, në të cilat ka qëndruar prej disa shekujsh./atsh/KultPlus.com