Koshi apo zambakët e kokës, stoli për nuse me motive florale

29 Korrik, 2020 - 2:30 pm



Koshi apo zambakët janë stoli të kokës për nuse me motive florale të punuara me dorë. Si dekor thuret nga peri i mëndafshtë dhe lidhet për teli i cili po ashtu mbështillet me fije dhe copëz mëndafshi. Si stoli është e dedikuar për nuse dhe gra të reja, dhe bartet vetëm në raste solemne e festive si pjesë e veshjeve me dimi dhe jelek ndryshe njohur si veshje allaturka.

Dekori i kokës e mori emrin kosh për shkak të platformës së mbajtjes së luleve punuar nga teli, pra njihej si kosh i luleve.
Llojet e luleve që qëndiseshin në kosh ishin të llojllojta si: lule molle, lule vathi, lule filizi por më së shpeshti ishin lulet e zambakut nga edhe njihet si zambaku për kokë. Një kosh kishte rreth pesëmbëdhjetë deri në njëzet lule të qëndisura, secila lule e kishte të qëndisur nga pesë deri në pesëmbëdhjetë petale si dhe një gjethe. Për ta bartur koshin gratë duhet ti mblidhnin flokët lartë, dhe koshi vendosej sipër kokës si pjesë së veshjes me dimi dhe jelek.

Sipas zonjës Fazile Isufi, 70 vjeçe nga fshati Vidishiq i Mitrovicës, e cila për mbi pesë dekada prodhoj dhe shiste kosha për nuse të reja, thekson se “paraluftës 1998-1999 koshat barteshin shumë nga nuset, pastaj pas luftës filloj t’ju binte përdorimi, po ashtu dhe shitja e tyre”. Të njëjtin mendim e ndanë edhe zonja Sofije Gruda, 77 vjeçe nga fshati Luboveci i Skënderajit, ajo i kishte thurur 6 sosh si pjesë të çejzit për martesën e saj, ajo thekson se “se koshi dikur bartej shumë, pastaj jo dhe aq por tash së fundi në fshatin tim vërej se koshi ka filluar të bartet prapë tek nuset e reja”.

Në festat që ndodhin në qytetet, fshatrat e lagjet tuaja, a bartet koshi akoma? Ju ftojmë të ndani me ne mendimin tuaj, apo foto të vjetra ose të reja nusesh me kosh në kokë. /Muzeu i Mitrovicës. / KultPlus.com

Të ngjajshme