10 Dhjetor, 2018 - 5:26 pm
Kryetari i Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi ka propozuar gjatë mbledhjes së sotme që në emër të Komisionit t’i shkruajnë një letër UNESCO-s për veprimin e Serbisë e cila e ka regjistruar lahutën si trashëgimi kulturore të saj.
Kurteshi ka bërë të ditur se letra do të dërgohet pas datës 13 të këtij muaji dhe se paraprakisht do të konsultohen për informata shtesë me departamentin për trashëgimi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, raporton Koha Ditore.
“Meqë është një padrejtësi e madhe duhet ta marrim përsipër si komision që t’ia drejtojmë një letër UNESCO-s me të cilën ja bëjmë me dije se kjo është e padrejtë dhe se ka shumë argumente që lahuta të mbetet instrument i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”, ka theksuar ai.
Propozimi i tij ka marrë përkrahjen e të gjithë anëtarëve të komisionit.