2 Nëntor, 2017 - 6:30 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në një takim njohës ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert.
Ministri e ambasadori kanë biseduar për çështje të interesit të përbashkët, raportet ndërmjet dy vendeve dhe nevojën që bashkëpunimet të thellohen, duke përmendur fushat specifike që mbulon ministria dhe një komunikim më aktiv ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Francës, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe profesionistëve të fushave të caktuara.
Ministri Gashi e falënderoi ambasadorin Chabert për vizitën, e përmes tij popullin dhe Republikën e Francës për kontributin dhe ndihmën që ka dhënë shteti francez për shtetndërtimin e Kosovës, e në veçanti në përkrahjen e projekteve dhe bashkëpunimit me ministrinë.
Ndërsa ambasadori Chabert e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe i uroi për detyrën dhe përgjegjësinë që ka marrë për ta udhëhequr ministrinë.
Ai e rinkonfirmoi qëndrimin e shtetit francez se do të vazhdojë bashkëpunimin shtetin e Kosovës, sidomos me MKRS-në dhe se ka vullnet e mundësi që ky bashkëpunim mes dy vendeve të zgjerohet edhe më tej.
Ambasadori Chabert u pajtua që Franca të jetë pjesë e disa aktivitete kulturore në kuadër të shënimit të dhjetë vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës vitin që vjen. / KultPlus.com