4 Tetor, 2017 - 8:37 pm
Përmes një njoftimi, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tregon se ka shtyrë edhe aplikimin për anëtarësim në UNESCO.
Ky vendim ka ardhur disa ditë pas atij për të mos aplikuar për anëtarësim në INTERPOL.
MPJ arsyetohet se këtë vendim e ka marrë në koordinim me aleatët strategjikë të Kosovës, sidomos ShBA-në dhe Bashkimin Europian.
Në një njoftim, MPJ tregon se procesi i aplikimit për anëtarësim në organizata rajonale, kontinentale dhe globale bëhet në koordinim të plotë dhe të ngushtë me aleatët strategjikë dhe historikë të vendit, respektivisht Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.
Edhe shtyrja, pragmatike siç e quan MPJ, e anëtarësimit në Interpol dhe UNESCO është e mbështetur në koordinimin e plotë dhe të ngushtë me ShBA-në dhe vendet e tjera të Kuintit.
“Ministria e Punëve të Jashtme ri-thekson se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme vepron në mënyrë koordinuar, të matur, të përgjegjshme dhe në mbrojtje të interesit nacional të Republikës së Kosovës”, thuhet në një sqarim të MPJ-së.
Çdo pretendim tjetër për krijimin e narracionit negativ tek publiku është i paarsyeshëm dhe joprofesional, thuhet më tej në komunikatë.
“Ministria e Jashtme vlerëson se këto veprime i kontribuojnë forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve me shtetet partnere dhe aleate, garantimit të sigurisë si dhe promovimit të paqes në rajon”, thekson po ashtu MPJ.
Votimi do të mbahej më 26 shtator.
Ndërsa, sa i përket UNESCO-s, Kosova kishte dështuar të anëtarësohej për tri vota në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate më 9 nëntor 2015. / KultPlus.com