7 Shkurt, 2019 - 5:45 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në konferencën e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të Rinisë (RYCO), “Fuqizimi i rrugës për pajtim dhe bashkëpunim rajonal. Debati për të ardhmen evropiane të të rinjve kosovarë”. Në konferencën e cila u mbajt në Prishtinë, Ministri foli për bashkëpunimin e deritashëm dhe i falënderoi drejtuesit e RYCO-s dhe të pranishmit për organizimin e konferencës si dhe për vazhdimin e realizimit të objektivave në të mirë të rinisë.
Këtë vit, kryesimin e Bordit Drejtues të RYCO-s do ta ketë Kosova dhe ministri e konsideroi këtë si një privilegj dhe një nxitje për të punuar edhe më shumë për rininë.
“Në momentin që po flasim RYCO ndodhet në një pozicion shumë më të favorshëm krahasuar me vitin e kaluar; me një strukturë të konsoliduar dhe me objektiva të qarta strategjike se ku e sheh veten në të ardhmen”, vlerësoi ministri, duke shtuar se themelimi i RYCO-s është një mundësi e mirë e shkëmbimeve rinore rajonale e cila duhet të shfrytëzohet nga të rinjtë.
“Në asnjë rrethanë, përpjekjet e deritanishme kryesisht të bëra nga organizata jo qeveritare apo iniciativa të tjera për të mbështetur bashkëpunimin rajonal nuk janë më pak të rëndësishme. Përkundrazi, janë pikërisht ato iniciativa te cilat kanë vënë gur themelet e RYCO-s. Por natyra unike e përbërjes së RYCO-s në gjitha strukturat e saj e bën atë një institucion gjithëpërfshirës dhe me vizion të qartë për fuqizimin e bashkëpunimit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor” u shpreh ministri Gashi.
Ministri Gashi po ashtu e cilësoi se RYCO bashkëvepron në një mjedis kompleks dhe për këtë duhet më shumë punë për të bërë. Duke e parë të kaluarën si një sfidë vështirë të tejkalueshme, por jo të pamundur, ministri dhe se si Kryesues i Bordit të RYCO-s por edhe si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës në drejtimin e këtij institucioni rajonal, tha se është e nevojshme në mbështetja e RYCO-s në mënyrë të veçantë nga ana e gjashtë qeverive të Ballkanit Perëndimor.
“Të gjitha qeveritë e rajonit, duke përfshire edhe atë të Kosovës duhet ta mbështesin sa me shumë këtë institucion i cili mundëson rritjen e lëvizjes dhe bashkëpunimit rajonal të të rinjve dhe jo vetëm RYCO-n por edhe institucionet tjera komplementare me RYCO-n, dhe assesi të bëjnë veprime kontradiktore. RYCO nuk mund t’i përmbush synimet e saj e vetme andaj duhet t’i bashkojmë forcat të gjithë në mënyrë që bashkëpunimi i të rinjve në rajon të rritet sa më shumë”, ka thënë ministri në konferencën e sotme.
“Aq sa ju keni nevojë për vendimmarrës mbështetës, po aq edhe ne kemi nevojë për të rinj aktiv, të motivuar dhe të vendosur për të ndryshuar gjendjen aktuale dhe imazhin e këtij rajoni”, ka porositur ministri Gashi, duke bërë thirrje që të mësohen gabimet nga e kaluara dhe që ato të mos përsëriten duke e parë të ardhmen e tërë rajonit plotësisht të integruar në Bashkimin Evropian.
RYCO është mekanizëm i pavarur institucional i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë për bashkëpunim rajonal në fushën e rinisë.