15 Gusht, 2017 - 12:06 pm
Kosova nuk ka aplikuar që të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj ka dhënë arsyet e mos aplikimit në këtë organizatë.
Sipas tij, pengesë kanë qenë çështje e brendshme, saktësisht mosmiratimi i dy ligjeve, atij për Liritë Fetare si dhe Ligji për Trashëgiminë Kulturore.
Demaj ka hedhur poshtë pohimet se ka munguar mbështetja nga shtetet anëtare. Madje kryediplomati kosovar thotë se Serbia nuk ka pasur gisht në mosaplikim.
“Kosova nuk ka aplikuar në UNESCO akoma. Jemi në pritje të miratimit të dy ligjeve – Ligjit për Liritë Fetare dhe Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, të cilat ende nuk kanë kaluar. Jemi duke punuar, jemi duke i parë të gjitha mundësitë dhe opsionet. Besoj që kemi edhe pak kohë për të aplikuar dhe do të shohim si do të rrjedhin gjërat”, tha shefi i diplomacisë kosovare për Ekonomia Online.
Moskonstituimi i Kuvendit, sipas Demajt, do të pamundësojë miratimin e këtyre dy ligjeve, për rrjedhojë dhe mosaplikimin për këtë vit.
“Pa miratimin e këtyre dy ligjeve nuk mund të lëvizim, nuk mund të aplikojmë… Nëse nuk mundemi këtë vit e lëmë për vitin tjetër”, sqaroi ai.
Në mungesë të tri votave Kosova dështoi për t’u anëtarësuar në organizatën më të madhe të Kombeve të Bashkuara UNESCO, në nëntor të viti 2015, pas lobimit të madh të Serbisë dhe shteteve përkrahëse si Rusia etj.
Sesioni 21 i Asamblesë së UNESCO-s do të mblidhet në nëntor në Paris. E për pranim Kosovës i duhet dy të tretat e votave të 195 vendeve anëtare, raporton EO.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në një organizatë tjetër në INTERPOL. Por edhe pse u tha se janë siguruar votat e mjaftueshme për tu bërë anëtare e kësaj organizate të sigurisë, ministri në detyrë thotë se këto raporte nuk janë shumë shpresëdhënëse.
“Do të ketë vështirësi është shumë e vërtetë, sepse ka shumë shtete që kanë mbetur pezull nuk japin një përgjigje. Do të kemi një takim gjatë kësaj jave me kryeministrin edhe presidenti është njoftuar dhe mbetet që të shohim të gjitha raportet që kanë ardhur. Raportet nuk janë shumë shpresëdhënëse se Kosova do të anëtarësohet, por sidoqoftë këto raportet do të na udhëzojnë si të vazhdojmë më tutje. Ne e dimë se gjërat mund të ndryshojnë në momentet e fundit, Kosova në këtë situatë që është do të ketë vështiri se institucionet janë ende të pa krijuar dhe kuvendi i pa konstituuar edhe pse po mundohemi të bëjmë punën si është më së miri. Brenda kësaj jave do të vendoset gjithçka rreth INTERPOL”, u shpreh ministri në detyrë i Punëve të Jashtme.
Asambleja e përgjithshme e INTERPOLIT do të mbahet në Pekin të Kinës nga 26-29 shtator kur edhe do të votohet për anëtarësimin e Kosovës. Dy të tretat e votave i nevojiten Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë të sigurisë, raporton EO. / KultPlus.com