21 Prill, 2019 - 7:03 pm
Kosova nuk arrin të mbajë turistët e huaj më shumë se dy ditë. Së paku kështu thonë statistikat zyrtare. Agjencia e Statistikave e Kosovës për gjatë vitit 2018 ka mbledhur se në të gjitha hotelet, në Kosovë kanë qëndruar 192.761 vizitorë të huaj. Por ata kanë qëndruar vetëm 321.308 net. Kësisoj 453 njësitë hoteliere nuk arrijnë të shfrytëzojnë më shumë se 10 për qind të kapaciteteve të tyre.
Pronarë të njësive hoteliere në Kosovë fajin ia hedhin institucioneve qeverisëse, që nuk kanë bërë sa duhet në promovimin e Kosovës si destinacion turistik. Të tjerë thonë se Kosova është më e shtrenjtë se sa vendet e tjera të rajonit, shikuar nga xhepi i turistëve.
Ciceronët thonë se turistët janë në lëvizje, e qëndrimin e shkurtër e kanë problem edhe vendet e rajonit.
Prishtina, lehtë e eksplorueshme
Ndonëse Divizioni i Turizmit, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në faqen e tyre zyrtare i ka renditur disa nga aspektet kulturore e natyrore pse duhet të vizitohet Kosova, një gjë e tillë nuk po i ndalë gjatë turistët.
“Rrallë rrinë më shumë se dy ditë”, tha Lavdim Grajqevci, menaxher i njërit prej hoteleve në Prishtinë.
Ai thotë se gjatë bisedës me turistë, ka mësuar, se për ta, Prishtina është lehtë e eksplorueshme, vetëm për dy ditë. E sidomos kur nuk kanë ndonjë ciceron që të ju tregojë veçantitë e kryeqytetit.
Mirëpo Grajqevci nuk lë pa përmendur edhe çmimet, duke cilësuar se Kosova është më e shtrenjtë se të gjitha vendet e rajonit.
Madje ai thotë se në raste të caktuara, turistët paguajnë hotele në vendet e rajonit si Shqipëria e Maqedonia, dhe vinë në vizitë një ditore në Kosovë. “Kaq për ta është e mjaftueshme”, thotë ai.
Të njëjtin mendim për çmimet nuk e ndanë edhe pronari i një hosteli në Prishtinë, Jeton Latifi. Ai thotë se turistëve ju kushton shumë më pak qëndrimi në Kosovë se sa në vendet e rajonit.
Fajin ai e hedh tek Qeveria, duke thënë se asnjëherë nuk është bërë mjaftueshëm në promovimin e Kosovës si destinacion turistik.
Mirëpo edhe Latifi, thotë se turistët lehtë e shëtisin Prishtinën për më pak se dy ditë, e pastaj sipas tij nuk ngelet arsye tjetër për të qëndruar.
“Ndodhë rrallë që të vijnë grupe të turistëve të cilët qëndrojnë më gjatë”, ka thënë ai.
Ai thotë se gjatë bisedës me turistë shpesh herë i ka ngjarë të dëgjojë se si ata keqtrajtohen tek kufiri Kosovë-Serbi, duke hasur në vështirësi për të lëvizur në vendet e Evropës nga Kosova përmes kufirit me Serbinë.
Ai këtë e konsideron si linçim nga ana e Serbisë, duke kritikuar ashpër edhe Qeverinë e Kosovës që ende nuk ka arritur të bëjë asgjë që të ndalojë një praktikë të tillë.
“E di që vazhdimisht thonë se ekziston marrëveshja por nuk po respektohet, edhe ne e dimë qe ekziston por çka kanë bërë ata që të ndalohet një praktikë e tillë. Kosova humb shumë turist, sepse e dimë që rruga më e lehtë për të depërtuar në vendet e Evropës është përmes Serbisë, dhe kur ajo u nxjerr kaq shumë telashe, atëherë pse duhet të kthehen edhe njëherë ata në Kosovë e të kalojnë nëpër situata të tilla”, thotë ai.
Potenciali që nuk po shfrytëzohet
Ndërkaq ciceroni Muhamer Hasani, thotë për Koha.net se Kosova ka potencial turistik për qëndrim më të gjatë se një ditor, nëse futen të gjitha pikat e turizmit.
Ai thotë se gjërat që i tërheqin turistët në Kosovë janë të shumta, duke filluar prej historisë, traditës, ushqimit, gjallërisë së qytetit, rinisë, e deri tek jeta e natës, ku në shumicën e rasteve turistët ndahen më të kënaqur se sa që kanë pritur.
Mirëpo sipas tij, praktika e qëndrimit dy ditorë e turistëve, i ndjek edhe vendet e Ballkanit, jo vetëm Kosovën.
“Shumica e vizitorëve në Kosovë qëndrojnë një apo dy ditë (një natë e rrallë herë dy net) mirëpo kjo nuk vlen vetëm për Kosovën po pothuajse për tërë rajonin e Ballkanit, ku zakonisht vizitohen të gjitha shtetet e rajonit me nga një ose dy ditë. Ruta standarde të cilën e përcjellin është Maqedonia, Shqipëria, Kosova, etj”, ka thënë ai. “Në shumicën e rasteve të përvojës sime personale turistët qëndrojnë dy ditë në Kosovë. Zakonisht vizitohet Prishtina me rrethinë e pastaj vazhdohet për Prizren dhe Pejë”, ka përfunduar Hasani.
Koha.net ka provuar disa herë të marrë deklaratë lidhur me temën nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Divizioni i Turizmit, mirëpo një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur.
Megjithatë, në faqen e saj zyrtare janë të përshkruara ofertat kryesore turistike me të cilat prezantojnë Kosovën.
Segmentet kryesore që ky divizion ka paraqitur, janë Turizmi Kulturor, Turizmi malor dhe alpin, Turizmi rural, eko-turizmi dhe turizmi alternativ, Vizitat ndër-kufitare si dhe Takime dhe konferenca.
Kjo e fundit nga Divizioni i Turizmit konsiderohet si njëri nga segmentet me fitimprurës të ofertës aktuale.
Sipas tyre, në veçanti, seminaret, konferencat dhe trajnimet, aktualisht janë si rezultat i prezencës të një numri të madh të organizatave ndërkombëtare dhe kompanive të ndryshme që operojnë brenda vendit.
Ndryshe, Kosova ka një trashëgimi të larmishme kulturore, ku shumë monumente kulturore datojnë që nga koha e neolitit.
Ka lloje të ndryshme të monumenteve që datojnë nga periudha Ilire duke vazhduar me Perandorinë Romake, Perandoria Bizantine, Antikiteti i Vonë, dhe Mesjeta, Perandoria Osmane.
Disa prej monumenteve historike janë të stacionuara në qytetet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjakovës, etj. Shumica e Monumenteve në Kosovë janë qytete të lashta, ku përfshijnë kështjella, manastire, xhami dhe kisha./ Koha,net/ KultPlus.com
Fotografia: Arben Llapashtica, Kalaja e Novobërdës