20 Janar, 2021 - 7:58 pm
Arbëreshët apo shqiptarët e Italisë, të quajtur edhe italo-shqiptarë, janë pakica etno-gjuhësore shqiptare vendosur historikisht në jug të Italisë.
Ata jetojnë në Itali nga shekulli XV, ku ka qënë mërgata arbëreshe deri shekullit XVIII, në rajonet e Abrucos, Kampaniës, Apulias, veçanërisht në Bazilikat, Moliz, Kalabri dhe Sicili.
Janë emërtuar si arbëreshë, pasi në kohën kur u larguan nga Shqipëria, ajo quhej Arbëria. Arbëreshët u vendosën në Itali në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë, pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe pushtimit gradual të Shqipërisë dhe të gjithë Perandorisë Bizantine nga turqit osmane. Njihen shtatë eksode të mëdha që nisin që nga koha menjëherë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, deri nga fundi i shek. XVIII (1780-1790). Ngulimet e fundit të arbëreshëve janë në Italinë qendrore-veriore, si në Provincën e Pavias dhe të Piaçencës, po ashtu një grup i madh i’u drejtua rajonit qendror të Abrucos.
Në Itali sot numërohen mbi 260.000 njerëz që flasin gjuhën arbërore. Qytetet ku banojnë arbëreshët mbajnë dy emra, një në shqip dhe tjetrin italisht, ky i fundit përdorur sidomos nga të huajt. Arbëreshët nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla zakonat e tyre të pasura, si gjuhën, veshjet dhe ritet e doket që kishin në Mëmëdhe.
Sonte, KultPlus ju sjell disa nga veshjet tradicionale arbëreshe, të cilat pas kaq shumë shekujsh akoma ruhen me fanatizëm. / KultPlus.com