Krijohet taskforca ndërinstitucionale për monumentet e kulturës në Gjirokastër

9 Tetor, 2021 - 6:00 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi sot nisjen e punës së taskforcës ndërinstitucionale, e cila do të jetë një përkujdesje më shumë për monumentet e kulturës në Gjirokastër.

“Gjirokastra nuk është vetëm Qafa e Pazarit”, u shpreh ministrja Margariti, pasi sipas saj, të tjera ndërhyrje restauruese e rijetësuese pritet të nisin në qytetin-muze.

“Sot i hapëm udhë krijimit të një taskforce midis bashkisë së Gjirokastrës, Ministrisë së Kulturës dhe DRTK Gjirokastër. Që në fazën e parë të saj, kjo taskforcë synon të krijojë një grup pune me arkitektë dhe restauratorë, të cilët do të realizojnë projektet e ndërhyrjes në rreth 30 objekte në lagjen Pazar i Vjetër, Dunavat dhe Manalat”, u shpreh Margariti.

“Ky është momenti i bashkëpunimit me pronarët e objekteve e sipërmarrës për të çuar para këto projekte. Përvojat në banesat Kale, Lulo e Harshova janë shembuj suksesi që duhen ndjekur”, tha ajo.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi  u shpreh se “së bashku me ministren Margariti, specialistët e fushës, pronarët e banesave karakteristike, bizneset lokale dhe banorët do të bëjmë të mundur rijetësimin dhe restaurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe vendosjen e tyre në shërbim të zhvillimit të turizmit”.

“Tashmë Gjirokastra është shndërruar në një kantier ndërtimi, ku investimet në zonën muzeale janë të konsiderueshme, madje duke sjellë dhe një transformim rrënjësor të qytetit në tërësi.Ne do të vazhdojmë punën për ta kthyer Gjirokastrën në një xhevahir të vërtetë të kurorës së trashëgimisë kulturore botërore”, tha Golemi./ KultPlus.com

Të ngjajshme