Krimet dhe trashëgimia atrocitare në Kosovë trajtohen në hulumtimin e fundit nga Nora Weller

21 Nëntor, 2019 - 9:32 pm

Arbër Selmani

Varrezat masive dhe ato vende ku edhe sot zbulohen mbetje mortore të të masakruarve, jo vetëm në rastin e Kosovës por edhe në krimet e luftërat më të tmerrshme që ka njohur njerëzimi, do të duhej të konsideroheshin si trashëgimi atrocitare.

Mbi këtë koncept të trashëgimisë, Nora Weller ka nisur një hulumtim të veçantë, për të zbuluar nëse këto mbetje, këto vende ku ndodhin krimet, janë trashëgimi dhe përfaqësojnë një hapësirë që duhet mbrojtur e ruajtur, duke qenë hapësirë e përkujtimit dhe komemorimit.

Visoka – Weller sot ka mbajtur një ligjëratë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, pikërisht mbi trashëgiminë atrocitare dhe këtë nocion të lidhur me krimet që kanë ndodhur në Kosovë në vitin 1998 – 1999.

Këtë lloj të trashëgimisë ajo e ka quajtur edhe si trashëgimi të errët, trashëgimi tabu, trashëgimi që dhemb dhe që sjellë kujtime të dhimbshme, dhe trashëgimi që del si produkt i turizmit të errët.

Çfarë domethënie kanë ato vende ku janë gjetur varrezat masive? Çfarë domethënie kanë rrobat që i kanë pasur veshur njerëzit në momentet e fundit të jetës së tyre, para se kjo jetë t`ju copëtohet?

Pyetje të tilla ka kohë që e kanë shqetësuar Nora Weller.

Weller është një shqiptare për të cilën do të duhej të ishim të gjithë krenarë. Ajo sot është pjesë e Universitetit të Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo ka përfunduar studimet në marrëdhënie ndërkombëtare në Amerikë dhe më pas ka studiuar drejtësinë tranzicionale në Afrikën e Jugut.

Nora, rastësisht duke studiuar rastin e Kishës Ortodokse Serbe, merr pjesë në një ligjëratë ku përmenden krimet në Ballkan por nuk përmendet Kosova. Kësisoj, ajo inspirohet të merret më shumë me Kosovën, dhe me trashëgiminë atrocitare në Kosovë, me faktin se pse në Kosovë dhe Serbi debati mbi memorializimin në vendet ku ka pasur ose ka varreza masive është i munguar.

“Madje plot e përmendin Srebrenicën por Kosova përmendet shumë më pak, edhe pse rrethanat e krimeve janë pak a shumë të njëjta dhe agresori është i njëjti. Me anë të këtij studimi kam dashur të shoh se si në Kosovë funksionon trashëgimia atrocitare, ku janë vendet dhe si zhvillohen sot ato” tregoi gjatë ligjëratës weller.

Ajo ka prezantuar studimin e saj dhe prezantimin me anë edhe të fotografive të rasteve të ndryshme në botë ku dokumentohet dhe ruhet trashëgimia atrocitare, ajo që tregon vendet ku kanë ndodhur krime ndaj njerëzimit. Se a duhet kjo trashëgimi të futet brenda trashëgimisë kulturore, Nora thotë se ka kohë ende për hulumtim dhe për debat.

Rasti i “Ground Zero” në Nju Jork, rasti i Srebrenicës, rasti i Aushvicit apo edhe i Kishës Ntarama në Ruandë janë të tjerë shembuj të përpiktë që Nora i ka trajtuar në këtë hulumtim të sajin.

Nora ka udhëtuar edhe nëpër Kosovë për të identifikuar vendet ku merr frymë trashëgimia atrocitare. Sipas saj hapësirat e trashëgimisë atrocitare në Kosovë janë: Familja Jashari, Meja, Korenica, Peja, Gjakova, Reçaku, Burgu i Dubravës, Suhareka, Podujeva e vende tjera, ku janë mbytur e masakruar njerëz të pafajshëm.

“Meja, shembull, atje çdo varr është i njëjtë dhe kjo është diçka që duhet ta mendojmë. Në Gjakovë, një varr është i zbraztë për njerëzit që pritet të gjenden. Nysrete Kumnova, gruaja që ka themeluar ‘Thirrjet e nënave’, në një fotografi është tek varri i djalit të saj, varr pa asnjë njeri brenda sepse bëhet fjalë për një të zhdukur. Në Prekaz, është një memorial i cili nuk tregon asgjë për gratë e fëmijët që ishin brenda në shtëpi kur erdhën forcat serbe. Krejt këto mua më interesojnë, ky trajtim ndaj trashëgimisë atrocitare, më intereson pse nuk merremi me rrobat që njerëzit i kanë pasur në trup para se të vdisnin. Këto rroba janë zgjatje e personit, e personalitetit që i ka veshur, ato mbajnë ADN-në e atyre personave, bashkë me shenjat e gjakut e dheut në to” vazhdoi Nora.

Nora ka udhëtuar edhe për në Batajnicë, atje ku shpesh gjenden varreza masive dhe ku janë dërguar plot kamionë me trupa njerëzisht nga lokacione të ndryshme në Kosovë.

“Sipas një arkeologeje forenzite të EULEX-it, deri në 80 trupa kanë qenë brena 1 kamioni të tillë që ka shkuar në Batajnicë gjatë luftës. Paramendojeni sa njeriu ka përfunduar atje, në këtë rrugë që unë e bëra me ndihmën e aktivistëve nga Serbia. Është e tmerrshme ta mendosh se si këta njerëz sot nuk përmenden, ose përmenden vetëm si pjesë e krimeve por nuk meremi më shumë me ta, nuk dihet as si i kujtojmë” tregon Nora gjatë kësaj ligjërate 50 minutëshe.

Nora Weller ka marrë vlerësime nga Departamenti i Shtetit (SHBA) si dhe nga Kombet e Bashkuara për kontributin e saj në parandalimin e konfliktit gjatë luftës në Kosovë. Ajo u nominua për çmimin prestigjioz “Gruaja më frymëzuese 2017” nga Global women’s Network London. / KultPlus.com

Të ngjajshme