Kristale Ivezaj Rama: Në kohën e komunizmit, stërgjyshes sime ia nxorën thonjtë e duarve dhe të këmbëve

23 Shkurt, 2018 - 6:00 pm

Kanë kaluar 27-të vite nga shembja e regjimit komunist, mirëpo njerëzit janë duke treguar historitë e tyre për këtë periudhë më shumë se kurrë. Madje, disa prej historive po tregohen nga gjeneratat e reja, të cilat kanë ruajtur me fanatizëm historitë e të parëve të tyre, shkruan KultPlus.

Një gjë të tillë është duke e bërë edhe Kristale Ivezaj Rama e cila është bërë pjesë e projektit “Edhe Muret Kanë Veshë” për të treguar historitë e stërgjyshes së saj.
Ajo u bë pjesë e projektit kur ju drejtua Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit për tu njohur me historinë e stërgjyshes së saj Rinës nga Thethi i Malësisë së Madhe, e cila ishte dënuar më burgim gjatë kohës së komunizmit.

“Ajo ishte torturuar, i janë shqyer thonjtë e këmbëve dhe duarve dhe i kanë hedhur në trup një mace, gjersa e kanë goditur, një histori që duket e pabesueshme. Prandaj është e rëndësishme që të vlerësohen kujtimet e këtyre njerëzve që dëshmojnë të vërtetën”, ka treguar ajo.

Duke sjellë historinë e familjes së saj, Kristale Ivezaj Rama thotë se synon të mbledhë dëshmi edhe nga shqiptarët që u detyruan të lënë vendin e tyre për shkak të persekutimit dhe vuajtjeve gjatë periudhës së komunizmit.

“Edhe muret kanë veshë”, kështu titullohet nisma e re e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit që nisi sot, më 20 shkurt, në përvjetorin e 27-të të rrëzimit të shtatores së ish diktatorit, e që i kushtohet mbledhjes së dëshmive të të gjithë atyre që vuajtën gjatë regjimit komunist.

Ideatore e këtij projekti është artistja Alketa Xhafa, kurse Kristale Ivezaj Rama në këtë projekt është në cilësinë e shkrimtares. Artistja Alketa Xhafa Mripa theksoi se kjo nismë, përmes artit dhe historisë, kërkon të provokojë mbi të shkuarën. “Të gjithë janë të mirëseardhur, të tregojnë ndonjë rrëfim apo histori që e kanë dëgjuar prej gjyshërve, familjes, për kohën e regjimit barbar që ka ndodhur këtu në Shqipëri. Kjo nuk është një dhimbje vetëm për viktimat dhe familjarët, por për të gjithë kombin shqiptar”, u patë shprehur ajo. Instalacioni i Alketa Xhafa Mripës do të prezantohet më 9 maj. /KultPlus.com

Të ngjajshme