Kroaci-Shqipëri, bashkëpunim në fushën e turizmit

5 Shkurt, 2019 - 12:00 pm

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e turizmit, trashëgimisë kulturore, historike dhe ekonomisë ka qenë fokusi i vizitës së ambasadorit të Shqipërisë në Zagreb, Riza Poda në qytetin e Dubrovnikut, ku u takua me kryetarin e bashkisë së këtij qyteti, Mato Frankovic.

Në këtë takim ambasadori Poda shoqërohej nga Konsulli i Nderit për Dubrovnikun, Ivan Gjurashic.

Në vijim të rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, krahas punës për rritjen e shkëmbimeve në nivel qendror, Ambasada po punon për shtrirjen e këtij bashkëpunimi dhe në nivel të pushtetit lokal.

Poda në fjalën e tij, i bëri të ditur kryetarit të bashkisë së Dubrovnikut, vullnetin për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet qyteteve shqiptare dhe Dubrovnikut, në fushën e turizmit, trashëgimisë kulturore, historike dhe ekonomisë.

Më tej, Poda i propozoi kryebashkiakut të Dubrovnikut, nënshkrimin e një marrëveshje binjakëzimi ndërmjet Dubrovnikut dhe qyteteve shqiptare si Durrësi etj., duke shprehur bindjen se kjo marrëveshje do të forcojë edhe më tepër marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht në drejtim të shërbimeve bashkiake.

Ndërsa, kryetari i bashkisë së Dubrovnikut, Mato Frankovic u shpreh se ishte plotësisht dakord për të filluar një kooperim efektiv dhe konkret, në fushat e turizmit, kulturës, transportit dhe ekonomisë.

Edhe në drejtim të shkëmbimit të përvojës, trajnimeve në sektorë të veçantë, realizimit të projekteve të përbashkëta, vijoi kryetari Frankovic, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen, se ky bashkëpunim do të forcojë edhe më tepër miqësinë mes qyteteve kroate dhe shqiptare por edhe të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kroacisë. /j.p/ KultPlus.com


Të ngjajshme