27 Prill, 2020 - 11:58 pm
KultPlus ju sjell disa fjalë të urta shqipe, të cilat i përkasin trevave të ndryshme shqiptare.
• Atdheu e nana nuk harrohen!
• Ai që le arën e vet, nget arën e huej!
• Bijë vendi pikë argjendi!
• Çdo hi në vatrën e tij!
• Derë e botës s’është strehë e kokës!
• Dy shaka bëjnë një të vërtetë!
• Foli plakës të dëgjojë nusja!
• Gënjeshtra është një plagë, dhe në u shëroftë të le nishan!
• Gjuha e ka rrënjën në zemër!
• Po nuk e njohe hidhërimin, nuk do të kuptosh dhe gëzimin!
• Hileqari nuk të shef në sy, po shef në tokë!
• Kur fjala del nga zemra, godet në zemër!
• Më mirë me të hidhurat më përpara e të ëmbëlat pas!
• Shtëpi pa fjalë, e peshk pa hale nuk ka!
• Po të lavi, të levi dhe bishtin t’a krevi, hap sytë se të gënjevi!
• Siç na dinë, qofshim, siç jemi, mos qofshim!
• Budallai shkon tek e ngasin!
• Ç’ke moj zemër që rënkon; koka bën, koka pëson!
• Çobani i mirë e njeh bagëtinë me blegërimë!
• Deti ka ujë boll, po me u pi s’pihet!
• Edhe kau ka gjuhë të mëdha, por nuk flet dot!
• E mirë edhe fuqia, por ca më mirë urtija!
• I varfëri di shumë, po nuk e pyet njeri!
• Sherrin e mbjellin gratë dhe e korrin burrat!
• Kroni i Qeverisë nuk e ka ujin të kulluem; mos të raftë me kenë etshëm se të len pa pi!
• Kur del Dielli, të gjithë e dinë nga bie Lindja!
• Kur ngordh gjarpri, ngordh dhe helmi i tij!
• Mos i hap dritaret e zemrës pa e pa motin!
• Nuk pritet pema se i ban hije kungullit!
• Po nuk e pate të ligun brenda, nuk të vjen nga jashtë!/ KultPlus.com