Kryeministri Kurti për Shën Nënën Terezë: Nënëlokja jonë e bamirësisë dhe dashurisë

5 Shtator, 2022 - 12:49 pm

Me rastin e 25 vjetorin e shkuarjes në amshim të Nënës Terezë, kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka vizituar Muzeun në themelim “Nëna Terezë” në Prizren, i cili Shën Nënën Terezë e ka quajtur Nënëloke të bamirësisë.

KultPlus ju sjell të plotë fjalimin e kryeministrit të Kurtit.

Fjalimi im me rastin e vizitës së Muzeut në themelim “Nëna Terezë” në Prizren me rastin e 25 vjetorit të shkuarjes së saj në amshim

NËNËLOKJA JONË E BAMIRËSISË DHE E DASHURISË

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu,

E nderuara Zëvendës Kryeministre e Republikës së Kosovës, znj. Emilija Rexhepi,

I nderuari Ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku,

I nderuari Kryetar i Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj,

Të dashura motra të nderit,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që sot, këtu bashkë me ju, të përkujtojmë bijën tonë, Nënën e përbotshme, shenjtoren shqiptare, Shën Terezën, në këtë Muze i cili do të ruaj frymën e saj dhe

vazhdimësinë e mirësisë, humanizmit dhe shpresës, në Kosovën tonë.

Ky muze, i cili Prizrenit ia kthen Shën Nënë Terezën në përditshmëri, hap shtegun e synimit të saj i cili mishërohej në misionin e madh që ajo kishte: të krijonte institucione qëndrueshmërie në shërbim të më të varfërve.

Çdo ditë ecim nëpër bulevardin qendror të kryeqytetit tonë dhe çdo ditë duket se aty rrezaton një ngrohtësi e padukshme dashurie amnore. Jo gjithmonë e mendojmë se pse është kështu. Na duket aq e vetëkuptueshme, si çdo përkëdheli e pakusht nënash. Bulevardi mban emrin e një gruaje, e një bije të këtij populli, të lindur e të rritur në këto troje, që me veprën e saj bamirëse mahniti gjithë botën.

Agnes Gonxhe Bojaxhiu, e bija e Dranes (Drandofile) nga Gjakova dhe e Kolës (Nikollë) nga Prizreni, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, në kohët kur nuk ishte e lehtë të ishe shqiptare. Kola ishte një atdhetar i përkushtuar, që kishte përkrahur edhe financiarisht lëvizjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe vitin 1919 ai udhëtoi në Beograd, në një takim politik rreth Kosovës. Pas kthimit nga ky takim u sëmur rëndë dhe vdiq në rrethana të dyshimta, si duket i helmuar. Gonxhes së vogël nëntëvjeçe iu desh të rritej pa babë. Mirëpo, me gjithë goditjet që do t’i sillte jeta, ajo nuk do të përkulej kurrë para sfidave të jetës.

Më 14 gusht 1927, derisa lutej në kishën e Zonjës së Bekuar të Letnicës, ajo ndjeu se i kishte ardhur thirrja për punën e saj të ardhshme si motër misionare. Pas një viti u nis për në Irlandë, ku nisi jetën si murgeshë katolike, dhe prej aty shkoi në Indi, për t’u gjendur ndër ata që thuhej se ishin më të varfrit e më të varfërve të botës. Betejën kundër varfërisë dhe vuajtjeve të njerëzve të braktisur nga të gjithë e nisi me 12 motra të bamirësisë në paralagjet e qytetit të Kalkutës në Indi. Kur vdiq, shoqata e saj kishte rreth katër mijë motra bamirëse nëpër gjithë botën. Por, siç thoshte ajo, “varfëria më e madhe nuk është të mos kesh çfarë të hash, por të mos jesh i dëshiruar, të mos jesh i dashur nga të tjerët, të mos kesh dikë që kujdeset për ty. Kjo është varfëria më e madhe.”

Pra, si vajzë shqiptare nga njëri cep i Evropës, Tereza kapërceu detin për t’u shkolluar në ujdhesën e Hibernisë, në skajin tjetër të kontinentit. Si evropiane, kapërceu oqeanin për të shërbyer në Indi. Si indiane e birësuar, Nënë Tereza kapërceu ndasitë klasore, etnike, racore e fetare për t’u bërë mburojë më të pambrojturve.

Në jetën e saj Nënë Tereza përjetoi dëshpërime e thyerje të rënda shpirtërore, me vdekjen e hershme të babait, me ndarjen nga nëna dhe motra, me pamundësinë për t’i takuar ato edhe në çastet e tyre të fundit të jetës. Kur erdhi në Shqipëri, në vitin 1991, dhe vizitoi varret e nënës dhe të motrës, ajo tha se i ka falur tashmë të gjithë ata që i kishin sjellë kaq shumë vuajtje. Nënë Tereza po ashtu vizitoi disa herë edhe Kosovën, sidomos kishën e Letnicës, ku për herë të parë kishte vendosur për rrugën e saj jetësore të bamirësisë. Në Kosovën e pushtuar, populli ynë organizoi shëndetësinë e bamirësinë po me emrin e Nënë Terezës, me shoqatën historike të solidaritetit.

Edhe në kohët më të vështira për kombin shqiptar gjatë viteve të nëntëdhjeta, ajo dërgonte mesazhe përmes lutjeve, duke iu drejtuar kreut të shtetit shqiptar se “së bashku mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe popullin tone”; “Dua të lutem për popullin e varfër të Shqipërisë dhe për Kosovën që po vuan«, lutje këto që nxjerrnin nga ajo shqiptarësinë karshi periudhave të rënda që kalonte kombi ynë.

“Atdheun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri-tjetrin”. Ishin këto fjalët e Nënë Terezës, që kumbojnë edhe sot.

Me shoqatën e saj “Misionaret e Bamirësisë”, Shën Nënë Tereza nuk e çrrënjosi dot varfërinë, nuk zhduku prore të gjitha vuajtjet e njerëzimit, por ajo u kthye në një rreze shprese dhe në një udhërrëfyese të bamirësisë e të dashurisë, përtej kufijve shtetërorë, përtej ndarjeve racore, klasore e kombëtare. Me shembullin e saj ajo na mësoi se në secilin prej nesh ekziston një fuqi e jashtëzakonshme njerëzore për të mirën dhe për dashurinë.

Figura e saj ka përshkuar një çerek shekulli pas vdekjes – si simbol i krenarisë së kombit, si thirrje e popullit në ditët e vështira, si frymëzim në përpjekjet tona për rimëkëmbjen. Nënë Tereza qe personalitet transcendental. Ajo kapërceu caqet e natyrës, të sajesës dhe të bindjeve që kufizonin dhe ndanin njerëzit dhe sillnin vuajtjet dhe padrejtësitë e njerëzimit.

Nënë Tereza ndoqi shembullin e Krishtit dhe kujdesi i saj amnor ishte ngushëllimi i munguar shpirtëror i skamnorëve, fjalët e saj ishin balsam për dhembjet e më të përvuajturve. Fjala e ëmbël dhe çiltëria duhet të nisin nga vetë ne, sepse siç thoshte ajo “nëse i gjykon njerëzit, atëherë nuk ke kohë që t’i duash”.

U shpërblye me çmimin Nobel për Paqe si rrallëkush që nuk merret me politikë qoftë dhe tërthorazi. U shpall qytetare nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke marrë shpërblimin që deri atëherë u ishte dhënë vetëm katër vetave. Kisha Katolike e lumnoi dhe e shenjtëroi për shërbimin e saj, dhe besimtarët e Kalkutës e përqafuan për shenjtoren e tyre mbrojtëse.

Nënë Tereza u bë emër i madh i botës dhe i njerëzimit sepse besonte në fuqinë e veprës së vogël të dashamirësisë. Ajo porosiste njerëzit që ta donin njëri-tjetrin. Ajo vepronte pa pritur një çast më të mirë për veprim. “I druhemi së nesërmes,” thoshte, “sepse e bjerrim të sotmen.” Fjala e saj na grish të punojmë për të mirën sidomos tani, në 25-vjetorin e ikjes së saj në amshim.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Xavier Perez de Cuellar ftoi Nënë Terezën të marrë pjesë në seancën e Asamblesë së Përgjithshme dhe të flasë me përfaqësuesit e të gjitha vendeve të botës. Kur mbërriti në sallën e madhe të Pallatit të Qelqtë më 26 tetor 1985, para ‘ajkës’ së diplomacisë botërore tha: “Ju prezantoj gruan më të fuqishme në botë”. Dhe ai mendonte shumë seriozisht, sepse Nënë Tereza, e imët dhe e palosur, me një sari të veshur dhe me sandale lëkure, ishte vërtet gruaja më e fuqishme në botë.

Ajo ishte një nga ne, kurse të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për veprat e saj me të cilat krenohet i gjithë njerëzimi. Drita hyjnore e saj buron nga thirrja për t’u përkushtuar me mendje dhe me zemër njerëzve që kanë nevojë t’u ndihmohet. Sot përkulem para shënjtores sonë, Nënë Terezes, e cila me veprën e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo ku ai mungonte por ku ai e meriton.

Për gjithë veprën e saj të jashtëzakonshme, gjashtë vjet më parë, më 4 shtator 2016, u kanonizua nga Papa Françesku në një ceremoni në Sheshin e Shën Pjetrit në qytetin e Vatikanit. Duke i dhënë botës dashuri e mirësi, ajo u bë sinonim i dashurisë e mirësisë. Për ne ajo do të mbetet përherë edhe nobelistja edhe shenjtorja jonë e parë shqiptare me të cilën do të krenohemi si popull, duke ndjekur përherë këshillën e saj se “paqja fillon me një buzëqeshje”.

Ju falemnderit./ KultPlus.com

Të ngjajshme